Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka dalë me një reagim pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Speciale për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të lidhura
None found
Gjini i përshkruan dënimet e dhëna ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit si “tronditëse dhe thellësisht zhgënjyese”.
Në një postim në Facebook, ai shpreh solidaritetin me familjarët, ish-bashkëluftëtarët dhe mbarë popullin e Kosovës, duke thënë se mendjet dhe zemrat janë pranë tyre.
Kryetari i Aleancës nënvizon se ky aktgjykim nuk zbeh dot të vërtetën historike që rrethon luftën e UÇK-së.
Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilloi një konflikt të drejtë dhe çlirimtar kundër regjimit kriminal të Serbisë.
Në vijim të reagimit, Gjini apelon për më shumë angazhim nga ana e Kosovës në procesin e apelit, si dhe për ruajtjen e vendit për të mos u shkaktuar kënaqësi armiqve.
“Ta ruajmë Kosovën sepse në atë mënyrë nuk ua japim armiqve kënaqësinë që e presin. Kosova duhet të bëjë shumë më shumë që katër udhëheqësit e UÇK-së të shpallen të lirë në shkallën e dytë të gjykimit”, ka deklaruar Gjini në postimin e tij.
