Që prej largimit nga Lazio në korrik, Elseid Hysaj vazhdon të jetë pa skuadër. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare po analizon alternativat për hapin e ardhshëm në karrierë, ndërsa deri tani nuk ka pranuar disa oferta të paraqitura në mënyrë konkrete.
Të lidhura
None found
Pas dështimit për të gjetur një marrëveshje financiare me Leccen, 31-vjeçari refuzoi edhe propozimin e Egnatias. Klubi shqiptar i kishte ofruar një kontratë me pagë rreth 500 mijë euro në sezon, por kjo ofertë nuk mjaftoi për ta bindur futbollistin.
Oferta më e fundit që nuk është pranuar nga Hysaj duket se ka ardhur nga Ascoli. Sipas gazetarit italian Lorenzo Lepore, skuadra e Serie B, e cila synon rikthimin në elitën e futbollit italian, tentoi të firmoste me mbrojtësin shqiptar, por nuk ia doli.
“Ascoli i ka dërguar një ofertë, e cila u refuzua nga lojtari për arsye ekonomike. Megjithatë, ai mbetet i hapur ndaj një transferimi”, raporton Lepore.
Në të njëjtën kohë, mediat italiane bëjnë me dije se Hysaj mund të marrë në konsideratë edhe një transferim në Rusi. Disa klube të këtij vendi kanë shfaqur interes për ta afruar 31-vjeçarin si lojtar të lirë.
