Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri në rrjetin social “X” lidhur me pagat e gjyqtarëve, duke deklaruar se askush nuk mund të marrë rolin e parlamentit dhe as t’i diktojë legjislativit se në ç’moment duhet të votojë.
“Kurrë jo, kjo nuk është mënyra e të shprehurit të një gjyqtari, por e një ultrasit që proteston në rrugë kundër VAR-it.
Të lidhura
None found
Me keqardhje, po sjell disa të vërteta të thjeshta:
Asnjë institucion nuk mund ta zëvendësojë parlamentin dhe askush nuk ka të drejtë ta urdhërojë legjislativin se kur duhet ta ngrejë dorën. Të drejtën dhe detyrimin për t’i evidentuar parlamentit një votim të gabuar e ka vetëm Gjykata Kushtetuese, por as kjo gjykatë nuk mund t’i diktojë pushtetit të pavarur legjislativ mënyrën se si duhet të votojë.
Vendimmarrja për politikën e pagave i takon qeverisë për propozimin, parlamentit për miratimin dhe sërish qeverisë për zbatimin. Ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese mund të bëhet vetëm kur preket një parim ose normë kushtetuese. Në një rast të tillë, ligjvënësit duhet ta korrigjojnë situatën, pa cenuar pavarësinë e tyre dhe në përputhje me mënyrën që e gjykojnë të arsyeshme përmes votës.
Nëse, largqoftë, shoqatat e prokurorëve dhe gjyqtarëve kanë zgjedhur të përdorin mjete politike e juridike të bashkërenduara me zyrat e prokurorive dhe gjykatave, duke u rreshtuar si një ushtri përballë qeverisë dhe duke synuar rritjen e pagave përmes kallëzimeve, masave të sigurimit apo përmbarimit, atëherë do të përballeshim me një sfidë të re. Kjo nuk na frikëson, por na shqetëson shumë. Ne nuk dëshirojmë një skenar të tillë dhe unë nuk dua ta lejoj atë, pasi, ndryshe nga sa mendon ky gjykatës që flet në media, çështja e pagave stratosferike nuk lidhet me inatin, por me një sfidë të ndërtimit të shtetit europian të Shqipërisë.
Gjithçka është e qartë: tryeza e përgatitur për takimin e kërkuar dhe më pas të anuluar vijon të jetë në dispozicion. Më 17 shtator përfundon vetëm ky episod i tensionuar në publik, i cili mund dhe duhej të ishte shmangur. Megjithatë, nevoja për komunikim ndërmjet pushteteve të pavarura nuk mbyllet. Përkundrazi, ajo nuk u krijua nga debati për pagat dhe do të bëhet edhe më e rëndësishme në çdo hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ne kemi tryezën dhe jemi të gatshëm për dialog; pjesa tjetër mbetet në vlerësimin e gjykatësve”, shkruan Rama.
