Policia ka arrestuar në flagrancë një 56-vjeçar në fshatin Gërdec të Bashkisë Vorë, pasi dyshohet se i kërkoi kushëririt të tij 300 mijë euro, duke e kërcënuar me jetën e tij dhe të familjarëve. Operacioni policor u kodua “Mesazhi”.
Hetimi nisi pas kallëzimit të shtetasit E. M., i cili njoftoi se në portën e banesës kishte gjetur një fishek arme zjarri dhe një letër kërcënuese.
Të lidhura
None found
Në letër kërkohej dorëzimi i menjëhershëm i shumës prej 300 mijë eurosh, ndërsa mosplotësimi i kërkesës shoqërohej me kërcënime ndaj pjesëtarëve të familjes.
Pas veprimeve të shpejta hetimore dhe operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe nën drejtimin e Prokurorisë, bënë të mundur lokalizimin dhe identifikimin e autorit të dyshuar, shtetasit A. M., 56-vjeç, banues në Vorë.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, efektivët sekuestruan si prova materiale municion luftarak, veshjet që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale dhe një aparat celular.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vijimin e veprimeve. Ndaj 56-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
