Shtimi i numrit të studentëve në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup ka përkeqësuar nevojën për ambiente të reja, ndërkohë që ndërtimi i kampusit të ri universitar ende nuk ka nisur.
Të lidhura
None found
Për të përballuar situatën, Rektorati i UNT-së u ka kërkuar institucioneve qeveritare të mbështesin rinovimin dhe përshtatjen e ndërtesave që përdoren aktualisht.
Rektori Bekim Fetahu vlerëson se hapësirat në dispozicion nuk i përgjigjen nevojave të universitetit. Ai thekson se, deri në përfundimin e kampusit të ri, duhet të sigurohet një zgjidhje e përkohshme për një fakultet, i cili do të zhvendoset në një objekt tjetër.
“Një nga fakultetet duhet të rialokohet në një objekt tjetër për një periudhë të pacaktuar, derisa të ndërtohet kampusi i ri universitar”, ka deklaruar Fetahu.
Rektorati nënvizon se interesi në rritje dhe numri më i madh i studentëve e kanë bërë urgjente adresimin e mungesës së hapësirave. Për këtë arsye, kërkohet ndërhyrja e institucioneve për përmirësimin e kushteve ekzistuese deri në realizimin e kampusit të ri të UNT-së.
