Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Fiç” ka lënë të pandryshuar rejtingun e Republikës së Maqedonisë në nivelin “BB+”, duke i dhënë një perspektivë të qëndrueshme. Sipas Ministrisë së Financave, vlerësimi pasqyron pritshmëritë për rritje ekonomike, investime të fuqishme dhe vijimin e reformave në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Të lidhura
None found
Në raportin e publikuar së fundmi, agjencia thekson se ekonomia e Maqedonisë ka dëshmuar rezistencë, ndërsa rritja reale ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2026 u përshpejtua në 4.3 për qind. Ky rezultat u mbështet kryesisht nga aktiviteti i lartë në sektorin e ndërtimit dhe industrinë prodhuese.
Vlerësim pozitiv mori edhe ecuria e investimeve publike. Gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, shpenzimet kapitale u rritën me 40 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 46 për qind të objektivit të rishikuar vjetor. Sipas “Fiç”, kjo tregon zbatimin e avancuar të projekteve të mëdha infrastrukturore, mes tyre Korridori 8 dhe Korridori 10d.
Agjencia parashikon që ekonomia të vazhdojë të përfitojë nga niveli i lartë i investimeve publike dhe nga konsumi privat. Ajo sheh mundësi për një rritje edhe më të madhe në periudhën afatmesme, nëse vijojnë projektet infrastrukturore dhe zbatohen reformat e lidhura me instrumentet e Bashkimit Evropian.
Ndër elementet që mbështesin vlerësimin kreditor, “Fiç” përmend treguesit më të mirë të qeverisjes dhe PBB-në më të lartë për frymë në raport me shtetet që kanë rejting të ngjashëm. Në këtë drejtim, angazhimi për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian konsiderohet një mekanizëm i rëndësishëm për reformat gjatë periudhës afatmesme.
Për sa i përket financave publike, agjencia konstaton zbatimin e plotë të Ligjit të buxhetit të vitit 2028. Njëkohësisht, ajo nënvizon nevojën për konsolidim gradual fiskal dhe pret që deficiti të ulet në periudhën afatmesme.
“Fiç” evidenton edhe masat reformuese që synojnë përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave, ku përfshihet edhe vendosja e faturimit elektronik.
Sipas raportit, struktura e borxhit të qeverisë së përgjithshme mbetet relativisht e favorshme, veçanërisht për shkak të peshës së konsiderueshme të kreditorëve shumëpalësh dhe dypalësh. Agjencia parashikon që borxhi bruto i qeverisë së përgjithshme të stabilizohet mesatarisht në 52.7 për qind të PBB-së gjatë viteve 2026–2028, nivel ky nën atë të vendosur.
Mbajtja e rejtingut “BB+” dhe e perspektivës së qëndrueshme shihet si një sinjal i rëndësishëm për tregjet financiare ndërkombëtare dhe investitorët, pasi lidhet me stabilitetin dhe pritshmëritë për ekonominë e Maqedonisë në një periudhë të karakterizuar nga sfida të shtuara ekonomike dhe gjeopolitike në nivel global.
Ministria e Financave deklaron se do të vijojë politikat për nxitjen e rritjes së qëndrueshme, zgjerimin e investimeve kapitale, zbatimin e reformave strukturore dhe konsolidimin gradual të financave publike. Synimi është forcimi i bazës ekonomike, rritja e konkurrueshmërisë dhe përmirësimi i standardit të jetesës së qytetarëve.
