Gazetarja Klodiana Lala ka kërkuar që SPAK të nisë hetime për akuzat e ngritura nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ka publikuar një audio-përgjim ku përmendet shtetasi amerikano-izraelit Ron Yeffet dhe pretendohet për një veprimtari të dyshuar të trafikut të armëve në Shqipëri.
Gjatë emisionit “Minuta e Parë”, të moderuar nga Ola Bruko në News24, Lala tha se materialet audio kërkojnë verifikim të menjëhershëm dhe të plotë nga Prokuroria e Posaçme. Sipas saj, nuk bëhet fjalë vetëm për tre episode, por për orë të tëra përgjimesh që mund të përmbajnë të dhëna për persona të tjerë dhe afera të tjera korruptive.
Të lidhura
None found
Lala e lidhi këtë çështje edhe me largimin me forcë të stafit të News24, BalkanWeb dhe Panorama nga ambientet e tyre të punës. Ajo tha se pas denoncimeve të Ahmetajt janë shtuar dyshimet se kompania Kayo mund të ketë pasur një aktivitet të dyfishtë: ushtrimin e një veprimtarie të paligjshme dhe mbylljen e zërit të News24, televizion që ndër vite ka denoncuar afera korruptive.
Sipas pretendimeve të bëra publike nga Ahmetaj dhe të komentuar nga gazetarja, armët mund të siguroheshin në Afrikë dhe Sudan, të silleshin në Shqipëri për t’u montuar e paketuar dhe më pas të transportoheshin drejt një vendi të Bashkimit Europian ose Ukrainës.
“News24 i ka kritikuar qëndrimet e Ahmetajt edhe në raste kur ai nuk e ka bërë detyrën e tij, por këtë herë ai ka publikuar prova. Zoti Braho duhet të nisë hetimin kryesisht për akuzën e trafikut të armëve dhe për të verifikuar nëse në këtë skemë janë përfshirë zyrtarë të lartë shqiptarë”, deklaroi Lala.
Ajo vuri në dukje se në denoncimin e Ahmetajt përmendet një shtetas me emrin “Ermal Raketa”, ndërsa në një përgjim tjetër Ron Yeffet përmend emrin Ermal Nufi. Megjithatë, sipas saj, përpara se të hetohet kjo lidhje, SPAK duhet të shqyrtojë edhe rrethanat e dëbimit të News24 nga godina.
Lala kërkoi që materialet e plota të sigurohen përmes letërporosive drejtuar autoriteteve të huaja dhe Bashkimit Europian. Ajo tha se duhet të verifikohet identiteti i të gjithë personave të përmendur në përgjime, hyrjet e tyre në territorin shqiptar, si dhe data kur Ron Yeffet ka hyrë në Shqipëri. Gjithashtu, sipas saj, SPAK duhet t’u drejtohet autoriteteve përkatëse për të marrë përgjimet e plota dhe të nisë marrjen në pyetje të personave të përfshirë.
Gazetarja deklaroi se ambientet dhe mjetet e punës së News24 u morën me dhunë, pasi forcat e ushtrisë i larguan nga godina stafet e News24, BalkanWeb dhe Panorama. Ajo tha se punonjësit nuk u lejuan të ktheheshin në vendet e tyre të punës dhe as të merrnin pajisjet, ndërsa disa prej tyre vijojnë të ndodhen ende në godinë.
“Kur News24 iu drejtua SPAK-ut, në lidhje me rastin e largimit nga godina, nuk iu referua kallëzimit tonë dhe u tregua një brutalitet. Sot, pas akuzave të Ahmetajt, dyshimet për aktivitetin e Kayo-s dhe për trafikun e armëve janë bërë edhe më të forta. Këto audio-përgjime e kanë plagosur rëndë Ramën, madje më shumë se protesta që sot është e 101-ta në radhë”, tha Lala.
Ajo shtoi se Ahmetaj ka folur edhe më herët, por kjo ishte hera e parë që, sipas saj, ai publikoi në një televizion prova dhe fakte ku shfaqet Ron Yeffet. Lala kërkoi një hetim të plotë mbi të dhënat e bëra publike, duke sugjeruar që SPAK të marrë materialet audio nga TV Syri dhe të hetojë të gjithë personat e përmendur.
Në përfundim, Lala bëri të ditur se News24 i ka dërguar SPAK-ut një shkresë zyrtare për të marrë informacion nëse do të nisë një hetim penal mbi denoncimet e Arben Ahmetajt. Ajo tha gjithashtu se hetimi duhet të përfshijë edhe mënyrën e marrjes së ambienteve dhe mjeteve të punës së televizionit.
