Një lojtar 35-vjeçar në Gjermani, i njohur si Marius, ndodhet në arrest pasi dyshohet se i shkaktoi vdekjen një bashkëlojtari duke e helmuar gjatë një udhëtimi të ekipit në përfundim të sezonit.
Marius, pjesë e klubit amator TuS Rockenberg, akuzohet se i dha fshehurazi helm një prej lojtarëve të skuadrës gjatë qëndrimit në Dresden, ku ekipi kishte udhëtuar për të festuar mbylljen e sezonit.
Të lidhura
None found
Gjatë udhëtimit, Philipp u ndje papritur keq. Kur u kthye në shtëpi, gjendja e tij shëndetësore u rëndua dhe familjarët njoftuan menjëherë ambulancën.
Ai u transportua në spital, por, pavarësisht ndërhyrjeve të mjekëve për ta reanimuar, humbi jetën të nesërmen, më 16 qershor 2025. Philipp ishte 30 vjeç.
Në fillim, të afërmit menduan se 30-vjeçari kishte pësuar një helmim të rëndë ushqimor, pasi gjatë udhëtimit futbollistët kishin ngrënë peshk.
Por hetimi zbuloi më pas se vdekja erdhi si pasojë e dështimit të shumëfishtë të organeve, të shkaktuar nga helmimi.
Autoritetet e drejtësisë e vunë Mariusin në qendër të dyshimeve gjatë zhvillimit të hetimeve.
Prokurori i lartë Thomas Hauburger u shpreh për mediat lokale se hetuesit dyshojnë për një krim të motivuar nga hakmarrja. Sipas tij, arsyeja e mundshme lidhet me një vajzë.
“Të gjithë jemi të befasuar dhe të tronditur. Askush nuk e kishte imagjinuar një gjë të tillë. Shpresojmë që policia të arrijë të sqarojë plotësisht rrethanat e ngjarjes”, deklaroi Manuel Barufe, drejtues i departamentit të futbollit të TuS Rockenberg, për mediat lokale.
