Pas evidentimit të parregullsive në administrimin, klasifikimin dhe transferimin e mbetjeve, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit vendosi ndaj “Polyeco Albania” Sh.p.k masën administrative të gjobës dhe pezullimit të aktivitetit.
Subjekti ishte paralajmëruar më herët në përputhje me ligjin e inspektimit, ndërsa gjurmimi i itinerarit të mbetjeve zbuloi shkelje të dispozitave ligjore.
Të lidhura
None found
Kontrolli i kryer nga Drejtoria e Inspektimit të Mjedisit dhe Ujërave pranë IKMT evidentoi shkelje të rënda, që kishin të bënin me klasifikimin e pasaktë të mbetjeve, dokumentet e transferimit dhe ushtrimin e aktivitetit jashtë kushteve të lejes ose autorizimit përkatës.
Gjatë verifikimeve rezultoi se subjekti kishte regjistruar si “karbon aktiv” një material që bën pjesë te absorbentët dhe materialet që përmbajnë substanca të rrezikshme.
Megjithatë, shqyrtimi i natyrës dhe origjinës së tij tregoi se kodi i përdorur nuk përputhej me karakteristikat reale të mbetjes.
Po ashtu, u gjetën mospërputhje mes kodeve të mbetjeve të regjistruara ose të transferuara nga kompania dhe listës së kodeve të parashikuara në kontratën e paraqitur me subjektin pritës.
IKMT konstatoi gjithashtu se “Polyeco Albania” Sh.p.k kishte pranuar dhe administruar mbetje që nuk përfshiheshin në lejen ose autorizimin e aktivitetit të saj.
Në zbatim të Ligjit Nr. 57/2025 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe Ligjit Nr. 99/2024 “Për inspektimin në RSH”, ndaj subjektit u vendos gjobë dhe pezullim i aktivitetit të menaxhimit të mbetjeve. Pezullimi do të vijojë deri në eliminimin e shkeljeve të konstatuara dhe sigurimin e përputhshmërisë së plotë me lejen përkatëse.
