Shkaku i zjarrit të fuqishëm që përfshiu Himarën nuk është përcaktuar ende. Kryebashkiaku Vangjel Tavo deklaroi në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, se zbardhja e ngjarjes është në kompetencë të Policisë dhe Prokurorisë.
I pyetur nëse flakët mund të jenë shkaktuar qëllimisht, Tavo tha se nuk mund të japë një vlerësim pa përfunduar hetimi dhe pa pasur një raport zyrtar për rastin.
Të lidhura
None found
Ai shtoi se nuk është në dijeni të ndonjë prove apo indicieje që të mbështesë dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme. Sa u përket pretendimeve se zjarri mund të jetë pjesë e një skenari të lidhur me Paketën e Maleve, kreu i Bashkisë Himarë i cilësoi ato si “përralla”.
Tavo sqaroi se sipërfaqet me ullinj janë ndarë me AMTP dhe, për këtë arsye, përjashtohen nga Paketa e Maleve. Ai tha gjithashtu se vatra e parë, brenda 25 minutash, iu afrua banesave, çka e detyroi të urdhëronte evakuimin e banorëve që ndodheshin në rrezik.
Sa i përket kapaciteteve për përballimin e situatës, Bashkia e Himarës disponon gjashtë mjete zjarrfikëse dhe një autobot. Sipas Tavos, këto mjete janë të reja dhe tejet të mjaftueshme.
Përcaktimi i shkaqeve pritet të bëhet nga hetimi, ndërsa ekipet në terren vijojnë të evidentojnë dëmet në banesa, ullishte dhe pasuri të tjera të banorëve.
