Bale shfaq anën humanitare, dhuron 500 mijë stërlina spitalit ku ka lindur

Gareth Bale u bashkohet “yjeve” të tjerë të sportit që ndihmojnë financiarisht në përpjekjet për të përballuar pandeminë Koronavirus. Futbollisti i Real Madridit i dhuruoi gjysmë milioni stërlina Spitalit Universitar të Uellsit, ku dhe ka lindur, për të ndihmuar në betejën ndaj Koronavirusit. Lojtari i Uellsit gjithashtu ka shpërndarë një video në mbështetje të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit të Mbretërisë së Bashkuar (NHS) për luftën kundër pandemisë.

“Unë dhe familja duam të tregojmë mbështetjen tonë, ju po bëni një punë të jashtëzakonshme”, – thotë Bale në video. Uellsiani, i cili ka ardhur në jetë pikërisht në këtë spital të Cardiffit, mori përgëzimet e bashkatdhetarëve të tij nëpërmjet zërit të Len Richard, kreut të bordit shëndetësor:

“Dua të falënderoj Garethin, Emmën dhe gjithë familjen e tyre për këtë dhurim fantastik. Jemi të mbushur me gëzim që ata kanë vendosur të japin diçka për spitalin lokal në shenjë falënderimi për shërbimin që kanë marrë ata dhe miqtë e tyre.”

Donacioni i Gareth Bale do të përdoret për të siguruar pajisjet e nevojshme në spital, për pacientët edhe personelin shëndetësor.


Shtuar 23.04.2020 06:38