Letra prekëse e vajzës shqiptare të operuar nga zemra: Nëse infektohem me koronavirus, do të vdes!

Koronavirusi ka alarmuar Shqipërinë ku deri në këto momente janë prekur 11 shtetas, ndërsa ka humbur jetën një e moshuar në Durrës e infektuar gjatë një vizite në Itali.

Ndërkohë që shumë shërbime janë pezulluar, shqiptarëve po u kërkohet të kenë kujdes me higjenën e tyre për të mbrojtur jetën e tyre dhe të familjarëve.

Ndërkohë që të gjithë po e përjetojnë me frikë këtë situatë, letra e një vajze e cila ka imunitet të dobët për shkak se është operuar nga zemra, ka prekur rrjetin.

Lora u bën një lutje publike të gjithëve që të bëjnë kujdes, të ruajnë veten dhe të tjerët.

Vajza shprehet se është e padrejtë që personat e shëndetshëm të mos respektojnë rregullat e higjienës apo masat për mbrojtjen nga Kornavirusi, vetëm sepse nuk kanë kaluar ndonjë sëmundje apo nuk i zë shpesh gripi.

Letra e plotë:

Nëse e marr koronavirusin do të jem një nga ata që të gjithë do të shkruajnë: Epo mirë Lora ishte e sëmurë. Unë jam një vajzë me imunitet të dobët dhe e gjykoj të padrejtë që ju të shëndetshmit të injoroni rregullat.

Meqënëse ky virus i bekuar dëmton vetëm ata që kanë sistem imunitar të dobët, më lejoni që ngë prej atyre që është në rrezik t’ju tregojë për këtë.

Unë jam operuar nga zemra dhe më duhet të marr mjekime herë pas here edhe për një gërvishtje të vogël që më ndodh apo një grip normal imuniteti im bie përtokë, një gjendje e cila më bën të jem subjekt në rrezik në rast se covid-19 më prek.

A e dini kush jemi ne me imunitet të dobët? Ne jemi ata që kemi përballuar kancerin, diabetin, sulme në zemër, ata që luftojnë me sëmundje degjenerative.

Ne jemi ata që kemi luftuar ose jemi duke luftuar me betejën dhe unë e gjykoj të padrejtë që ju të shëndetshëm e të bukur si dielli, të shmangni të gjitha rregullat që mund të frënojnë pjesërisht problemin.

Se nuk e kuptoni sa e rëndësishme është të na mbani distancë kur jeni me grip. Ju që ikni nga zona e kuqe nuk e kuptoni që jeta nuk rrotullohet gjithmonë rreth jush. Ju lutem ruhuni, nuk është shaka /albeu.com/


Shtuar 11.03.2020 15:44