Erison Gjeka nip i Gjon Gjekës, “i forti” i Shkodrës i vrarë në mënyrë mafioze 7 vite më parë

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e sotme në Shkodër ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy të rinjtë, Erison Gjeka dhe Ndue Pali.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së objekteve të biznesit që janë të vendosura në zonë.

Kjo është bërë për identifikimin e mjetit dhe të autorëve të kësaj ngjarje. Dy të plagosurit kanë marrë dëmtime në këmbë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spital. Sipas burimeve ato janë qëlluar me armë zjarri pistoletë. Dy gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes, 1 plumb në derën e një banese në rrugë. Të plagosit janë dëmtuar në pjesën e poshtme të trupit.

Të rinjtë po udhëtonin me motorr ndërsa janë qëlluar me armë zjarri nga persona të paidentifikuar ende. Gjeka dhe Pali kanë mbërritur në spital të plagosur por fatmirësisht nuk paraqesin rrezik për jetën. Burime bëjnë me dije se të rinjtë janë qëlluar nga një mjet në lëvizje dhe pas atentatit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Faxweb.al mëson se Erison Gjeka është nipi i Gjon Gjekajt, i vrarë në vitin 2013 pranë shtëpisë së tij tek kryqëzimi i ish degës në lagjen “Ndoc Mazi”. Ngjarja e rëndë u shënua në mes të ditës në vendin e quajtur “Ura e Thive”, ku autori ka qëlluar mbi 50-vjeçarin 3 herë pas shpine nga një distancë gati 1 metër e gjysmë, duke e lënë të vdekur në vend.

Ndërkohë, për nga mënyra e kryerjes së krimit, policia dyshon se vrasja ka qenë e organizuar dhe dyshohet se autorët kanë qenë profesionistë.

Gjeka ka qenë person me precedentë penal në ngjarjet që i përkasin vitit 1997 pasi dyshohet se pikërisht këto ngjarje janë edhe shkaku i atentatit ndaj 50-vjeçarit në vitin 2013 në të cilin janë përfshirë dy persona, që i janë afruar viktimës me një motoçikletë.

Gjeka është qëlluar me tre plumba në momentin që ka dalë nga shtëpia. Ai ishte i përfshirë edhe në aktivitetin e pajtimit të gjaqeve, ndërkohë që mësohet se në vitin 2002 është akuzuar për mashtrimin e një tregtari nga Durrësi.

Në moshën 37-vjeçarë, ka qenë i akuzuar për vjedhjen e një banke në Shkodër, vepër për të cilën edhe është arrestuar. Në atë kohë, policia bëri të ditur se ai akuzohej gjithashtu për pjesëmarrje aktive në grabitjen me armë të qendrës “Don Bosco” dhe shkatërrimin e zyrave të Prokurorisë në shkurt të vitit 1998.

Nuk dihet nëse ngjarja e sotme ka prapavijë të tillë dhe mund të ketë me hakmarrje nga e kaluara, ndërsa 2 të rinjtë që udhëtonin me motorr, janë qëlluar nga një makinë në lëvizje nga autorë të paidentifikuar.


Shtuar 25.08.2020 19:54