Thaçi i kërkon Qeverisë heqjen e taksës: Konfrontimi me SHBA-në gabim i pafalshëm

Presidenti Hashim Thaçi ka qenë i ashpër ndaj Qeverisë të cilës i ka kërkuar që të mblidhet dhe të marrë vendime sipas kërkesave zyrtare të SHBA-së.

Thaçi ka lënë të nënkuptohet se po kërkon heqjen e menjëhershme të taksës – ashtu si po insiston SHBA-ja – derisa ka akuzuar Qeverinë se me qasjen ndaj SHBA-së po vihet në pikëpyetje edhe e ardhmja e Kosovës.

Ai ka thënë se konfrontimi me SHBA-në është gabim i pafalshëm për Kosovën.

Ky reagim i presidentit të vendit vjen pas paralajmërimit të senatorit amerikan David Perdue i cili tha se nëse nuk hiqet taksa, SHBA-ja duhet ta rishqyrtojë praninë e trupave nga Kosova.

Postimi i plotë i Hashim Thaçit në Facebook:

Si President i Republikës së Kosovës i kërkoj urgjentisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të mblidhet dhe të marrë vendime në përputhje me kërkesat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mjaft e keni cenuar lidhjen tonë speciale me SHBA-në, pa të cilën nuk do ta kishim as lirinë, as shtetin dhe as të ardhmen. Me këtë qasje po vihet në pikëpyetje edhe vetë e ardhmja e shtetit tonë.

Të gjithë ne, krerë institucionesh, liderë politikë apo qeveri, jemi të zëvendësueshëm. Por, jetike dhe të pazëvendësueshme për Republikën e Kosovës janë vetëm raportet me SHBA-në. Konfrontimi me SHBA-në është shumë i dëmshëm dhe një gabim i pafalshëm në historinë moderne të Kosovës.


Shtuar 10.03.2020 15:38