Një kërkim i bërë përmes ChatGPT i dha fund pritjes shumëvjeçare të Avtar Singh dhe Nicci Dhamu, duke mundësuar që motër e vëlla të gjenin njëri-tjetrin pas më shumë se gjashtë dekadash.
Të lidhura
None found
Avtar kishte lindur në Indi dhe fëmijërinë e kaloi nën kujdesin e gjyshërve. Kur mbushi nëntë vjeç, ai u nis për në Kanada për të jetuar me të atin. Në atë kohë, besonte se gruaja që e priti atje ishte nëna e tij.
Shumë vite më pas, Avtar zbuloi se ajo ishte njerka e tij. Ai mësoi gjithashtu se nëna biologjike quhej Savinder, por nuk arriti të gjente asnjë të dhënë për vendndodhjen e saj.
Për më shumë se 60 vjet, ai jetoi pa e ditur se çfarë i kishte ndodhur nënës së tij biologjike. Përpjekjet e vazhdueshme në internet, në arkiva dhe përmes mediave nuk i sollën asnjë rezultat.
Ndërkohë, në një pjesë tjetër të botës, Nicci Dhamu prej vitesh përpiqej të gjente vëllain e madh, nga i cili nëna e saj ishte ndarë kur ai ishte ende fëmijë.
Kthesa vendimtare erdhi në maj të këtij viti. Teksa ndodhej me pushime në Francë, Avtar vendosi ta provonte kërkimin edhe përmes ChatGPT.
“Kisha përshtypjen se i kisha shteruar të gjitha mundësitë, ndaj mendova t’i jepja një shans edhe inteligjencës artificiale”, kujton ai, sipas The Guardian.
Me informacionin e kufizuar që Avtar zotëronte për të ëmën, ChatGPT e orientoi drejt një shkrimi për Savinder Kaur Nagi. Artikulli ishte hartuar nga Nicci Dhamu në kujtim të nënës së saj, e cila kishte vdekur në vitin 2024.
Edhe pse nuk ishte i bindur se bëhej fjalë për personin që kërkonte, Avtar vendosi të kontaktonte me email autoren e shkrimit.
Pas vetëm disa orësh, ata folën në telefon dhe ajo bisedë ua ndryshoi jetën të dyve.
Avtar e pyeti Nicci-n nëse Savinder kishte pasur fëmijë. Ajo i tregoi se nëna e saj kishte pasur një djalë.
Pak çaste më vonë, Nicci e pyeti: “Titu, je ti?”, duke shqiptuar nofkën që njihej vetëm nga familja e tij.
“Po, jam unë”, iu përgjigj Avtar, duke shtuar se askush nuk e kishte thirrur me atë nofkë që nga fëmijëria.
Vetëm disa ditë pas telefonatës, Avtar udhëtoi për në Londër. Atje ai u takua për herë të parë me motrën, xhaxhain dhe të afërmit e tjerë nga familja e nënës.
Së bashku, ata rindërtuan historinë e Savinderit. Ajo ishte detyruar të ndahej nga i biri pas dështimit të martesës dhe nuk e kishte harruar asnjëherë atë.
Pavarësisht se ribashkimi u realizua falë ChatGPT, Avtar e vlerëson në mënyrë realiste ndikimin e inteligjencës artificiale në këtë histori.
“Në këtë fazë, AI mbetet një motor kërkimi më i përparuar. Nga informacionet që i dhashë, ajo identifikoi përputhjen më të mirë. Nuk ka inteligjencë në të”, u shpreh ai.
Për Nicci-n, ajo që ndodhi ka një domethënie shumë më emocionale.
“Kush mund ta parashikonte se ChatGPT do të na drejtonte te një artikull, prej tij te një email dhe nga ai email te e gjithë kjo? Edhe inteligjenca artificiale mund të ketë një prekje njerëzore. Mjafton të shihni çfarë ndodhi”, tha ajo.
