Pas humbjes 5-3 të Sunderlandit ndaj Manchester Cityt, ku luajti gjatë gjithë ndeshjes, kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, foli për herë të parë për akuzat ndaj tij.
Të lidhura
None found
Raportimet bëjnë fjalë për një hetim të hapur nga Prokuroria e Luzernit, nën dyshimin se Xhaka ka siguruar një certifikatë të falsifikuar të COVID-19. Sipas “Blick”, ai pritet të merret në pyetje nga autoritetet e Luzernit në fillim të tetorit, ndërsa futbollisti i ka mohuar akuzat.
Në një deklaratë për “NZZ”, Xhaka nuk preferoi të japë shumë detaje rreth çështjes. “Për këtë nuk kam koment. Sot luajta futboll dhe për momentin kjo është ajo që ka rëndësi për mua”, u shpreh ai.
I pyetur nëse hetimi po ndikon tek ai, kapiteni zviceran u përgjigj shkurt: “Aspak, kam kaluar edhe më keq”.
As trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris, nuk pranoi të fliste për hetimin që lidhet me Xhakën.
“Nuk është fusha ime e ekspertizës. Fusha ime është futbolli. Dhe sa i përket futbollit, ai është shumë i mirë”, deklaroi Le Bris.
Gjatë pushimit ndërkombëtar, Xhaka do t’i bashkohet Kombëtares së Zvicrës. Sipas “Blick”, në fillim të tetorit ai pritet të merret në pyetje nga autoritetet e Luzernit.
