Vitor Roque tregon idhujt e tij në futboll, të gjithë kanë luajtur për Barcelonën

Vitor Roque është zyrtarisht një futbollist i Barcelonës, derisa prezantimi i tij dhe konferenca do të mbahen më 3 janar.

Sulmuesi i talentuar brazilian do të vihet menjëherë nën urdhrat e trajnerit Xavi Hernandez, derisa pritshmëritë në Kataluni për të janë të mëdha.

Ai ka thënë se fillimisht nuk besonte se do të bëhej realitet kalimi i tij te gjiganti katalunas, por me kalimin e kohës filloi të besonte kur gjërat u bën serioze.

“Fillimisht nuk e besova. Pas një kohe gjërat u bënë serioze. Unë fola me babanë tim dhe kur gjithçka u konfirmua, u gëzova shumë sepse ëndrra ime po realizohej”.

“Barcelona ishte opsioni i vetëm, nuk doja asnjë klub tjetër. Është klubi më i mirë në botë dhe gjithmonë ka qenë ëndrra ime të luaj këtu”, tha Vitor Roque.

18-vjeçari tregoi edhe idhujt e tij, të gjithë brazilianë dhe të gjithë kanë lënë gjurmë në Camp Nou me fanellën e Barcelonës.

“Janë shumë lojtarë që kam idhuj, por unë do thoja Neymari, Romario, Ronaldo dhe Ronaldinho. Këta janë ata që mendoj se kanë pasur ndikimin më të madh tek unë dhe që të gjithë kanë luajtur për Barcelonën”, deklaroi Vitor Roque. /Telegrafi/


Shtuar 1.01.2024 09:21