“Trupi nuk më lejon të luaj”, kampioni i NBA pensionohet në moshën 31-vjeçare

Ish-kampioni i NBA-së me skuadrën e Golden State Warriors, Otto Porter, vendosi t’i japë fund karrierës në moshën 31-vjeçare.

Porter ka thënë se trupi i tij nuk e lejon të luajë basketboll në atë nivel që do të donte, dhe për këtë arsye ai arriti në përfundimin se është koha për t’i dhënë fund karrierës edhe pse është ende shumë i ri.

“Kam pasur mundësinë të realizoj ëndrrën time të jetës për të luajtur në NBA gjatë 11 viteve të mëparshme. Pika kryesore ishte fitimi i titullit të NBA”.

“Fatkeqësisht, trupi im nuk më lejon të luaj në nivelin që dua, dhe kjo është arsyeja pse unë vendosa të tërhiqem”, ka thënë Porter.

Në vitin 2013, Porter mbërriti në NBA përmes draftit ku u zgjodh si zgjedhja e tretë nga Washington Wizards, për të cilët luajti për gjashtë vitet e ardhshme.

Më pas ai u transferua te Chicago Bulls, dhe më vonë luajti për Orlando Magic, Golden State Warriors dhe Toronto Raptors, të cilët janë klubi i tij i fundit.

Porter arriti unazën e kampionit në vitin 2022 me fanellën e Golden State, i cili mundi Boston Celtics në finalet e atij sezoni.

Sezoni më i mirë i karrierës së Porterit ishte 2018/19 në Chicago Bulls, ku kur mesatarisht shënonte 17.5 pikë, 5.5 kërcime dhe 2.7 asistime për lojë. /Telegrafi/


Shtuar 13.03.2024 16:04