E ardhmja e Aurelien Tchouameni te Real Madridi tashmë duket e qartë, pasi mesfushori francez ka vendosur të mbetet pjesë e klubit madrilen.
Të lidhura
None found
Ndonëse javët e fundit u përfol shumë për një largim të mundshëm të tij, si dhe për interesimin e Manchester Unitedit, 26-vjeçari ka marrë një vendim të rëndësishëm për vazhdimin e karrierës.
Sipas asaj që raporton Marca, ai ka arritur marrëveshje me Real Madridin për të zgjatur kontratën e tij dhe për të vazhduar rrugëtimin në “Santiago Bernabeu”.
Kontrata aktuale e Tchouamenit përfundon në vitin 2028, por palët janë dakordësuar që bashkëpunimi të vazhdojë edhe për tre vite të tjera, deri në verën e vitit 2031.
Edhe pse sezoni i fundit i Real Madridit pati luhatje në aspektin kolektiv, në planin personal Tchouameni mbeti një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës. Ai vijoi të ishte një lojtar kyç edhe në radhët e kombëtares së Francës.
Spekulimet për të ardhmen e tij u shtuan sidomos pas incidentit me Federico Valverde dhe nisjes së një epoke të re te madrilenët nën drejtimin e Jose Mourinhos.
Megjithatë, mediumi spanjoll thekson se francezi nuk e ka vënë asnjëherë në diskutim dëshirën e tij për të qëndruar te Real Madridi.
Zyrtarizimi i rinovimit pritet të ndodhë shumë shpejt, ndërsa me marrëveshjen e re Tchouameni do të ketë një rol edhe më të rëndësishëm në projektin e ri të klubit.
Po sipas raportit, kontrata e re do t’i sigurojë atij një pagë prej 13 milionë eurosh në sezon, çka konsiderohet si një tjetër tregues i besimit të plotë që klubi ka ndaj tij.
Me këtë lëvizje, Real Madridi garanton vazhdimësinë e një prej pikave më të forta të mesfushës, ndërsa mbetet ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me lojtarët e tjerë, e ardhmja e të cilëve vazhdon të jetë në dyshim.
