Struga mposht Vardarin në transfertë, Shkëndija mbetet në krye të renditjes

Struga Trim Lum fitoi 0-1 në fushën e Vardarit në derbin e xhiros së 12-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut. Tri pikët e mbajnë Strugën në garën për titullin kampion.

Takimi pati një episod të diskutueshëm që në minutën e 10-të. Vardari fitoi fillimisht një penallti, por vendimi u anulua pas rishikimit me VAR, pasi një prej futbollistëve ishte në pozitë jashtë loje.

Të lidhura

None found

Goli që përcaktoi fituesin erdhi në minutën e 31-të: Marjan Radeski shënoi për Strugën dhe vendosi rezultatin 0-1. Pas pushimit, Vardari kërkoi barazimin, por Struga mbrojti në mënyrë të organizuar epërsinë deri në përfundim.

Në përballjet e tjera të së dielës, Bashkimi mundi Arsimin 2-1, kurse Shkupi me Sileksin përfunduan 0-0. Shkëndija e Tetovës fitoi 2-1 në transfertë kundër Bregallnicës së Shtipit, ndërsa ndeshja mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Tikveshit u mbyll 1-1.

Pas 12 xhirove, Shkëndija e Tetovës kryeson me 27 pikë, një më tepër se Struga Trim Lum, e cila ka 26. Tikveshi dhe Vardari kanë nga 21 pikë, Sileksi 17, Shkëndija e Haraçinës 15 dhe Bregallnica e Shtipit 13. Arsimi dhe Bashkimi kanë nga 10 pikë, ndërsa Skopje zë vendin e fundit me katër pikë.