Një autobus i marrë me qira për transportimin e skuadrës braziliane të Sao Paulos është sekuestruar në Bolivi, pasi policia gjeti brenda tij 86 kilogramë marihuanë.
Sao Paulo kishte udhëtuar në Bolivi për t’u përballur me Bolivarin në ndeshjen e parë të fazës së 16-shes të Copa Sudamericana. Takimi mes dy skuadrave u mbyll në barazim 1-1.
Të lidhura
None found
Përpara zhvillimit të sfidës, delegacioni i klubit brazilian mbërriti në Santa Cruz de la Sierra dhe më pas duhej të vijonte rrugën drejt La Pazit.
Autobusi i planifikuar për ta marrë ekipin nga aeroporti u ndalua nga autoritetet boliviane. Gjatë kontrollit të mjetit, policia zbuloi sasinë prej 86 kilogramësh marihuanë.
Disa media lokale raportuan se Sao Paulo kishte angazhuar kompaninë e transportit Buses Cosmos për udhëtimin e delegacionit.
Mjeti u sekuestrua nga autoritetet në zonën e Cochabambës.
Deri në mbërritjen e skuadrës braziliane në Santa Cruz de la Sierra, operatori i transportit e kishte zgjidhur situatën. Kjo i mundësoi delegacionit të Sao Paulos të vazhdonte drejt La Pazit pa hasur probleme të tjera.
Deri në këtë fazë nuk është raportuar për përfshirjen e ndonjë anëtari të ekipit apo të delegacionit të Sao Paulos në këtë rast.
Lënda narkotike u gjet vetëm në autobusin e kontraktuar për transportimin e skuadrës, ndërsa autoritetet po vijojnë procedurat përkatëse.
