Shqipëria gati për “kthesë” ndaj Hungarisë, ky pritet të jetë formacioni i “kuqezinjve” (FOTO LAJM)

Humbja në Varshavë ndaj Polonisë “djeg” ende për mënyrën si erdhi, pasi u pësuan katër gola në një nga ndeshjet më të mira të Shqipërisë, megjithatë futbolli të jep mundësinë të kalosh gjithçka shumë shpejt, pasi kuqezinjtë do të kenë mundësi ta kthejnë zhgënjimin në forcë dhe të provojnë të fshijnë gjithçka pasditen e sotme në “Elbasan Arena”, ku do të presin Hungarinë.

Përballja e sotme merr një rëndësi akoma më të madhe për kuqezinjtë, pasi për të luajtur deri në fund shanset për një vend në Katar 2022, vlen vetëm fitorja në “Elbasan Arena”, një stadium fatsjellës për Kombëtaren Shqiptare që humbjen e fundit aty e ka regjistruar në mars të 2017-ës ndaj Bosnjës dhe më pas numëron 5 fitore e një barazim.

Krahas katër golave të pësuar, transferta polake i “dogji” trajnerit Reja edhe tre nga kartat që ai i përdor thuajse gjithmonë nga minuta e parë, pasi do të ndjekin ndeshjen nga tribuna emra si Elseid Hysaj, Rey Manaj e Keidi Bare, të cilët me ndëshkimin në Varshavë, plotësuan numrin e kartonëve të verdhë dhe do të vuajnë pezullimin.

Megjithatë për sfidën ndaj Hungarisë trajneri Edi Reja duket se e ka ndarë mendjen mbi formacionin që do të hedhë në fushë, pasi ashtu siç pritej, vendin e Keidi Bares në mesfushë do ta marrë “blerja” më e re e kuqezinjve, Nedim Bajrami, i cili pasi fitoi të drejtën të veshë fanellën e Kombëtares Shqiptare, tani është gati të japë kontributin e tij në fushë.

Dilema ka pasur për krahun e djathtë, ku kandidatë për një fanellë titullari ishin Doka dhe Roshi, por trajneri Reja ka zgjedhur t’i besojë eksperiencës dhe shpejtësisë së fierakut nga minuta e parë, qoftë edhe për faktin se do të synojë fitoren dhe futbollisti i Boluspor në Turqi ofron diçka më tepër në fazën sulmuese të lojës.

Në sulm, vendin e Rey Manajt të pezulluar, do ta marrë Myrto Uzuni, një futbollist që po bën shumë mirë te Ferencvaros në Hungari dhe është ndoshta futbollisti që njeh më mirë kundërshtarin, duke qenë se disa prej tyre i ka shokë skuadre dhe disa të tjerë i ka hasur si kundërshtarë në kampionatin hungarez.

Dilema e vetme e trajnerit Reja quhet Sokol Cikalleshi dhe lidhet me gjendjen fizike të këtij të fundit. Bomberi kavajas shënoi golin e vetëm në Varshavë dhe shihej si titullar në këtë takim, por një shqetësim në gju ka bërë që të jetë në dyshim, teksa vendimi final do të merret vetëm para startit të ndeshjes.

Emri favorit për të marrë vendin e Cikalleshit nëse nuk ia del, është Bekim Balaj, ndërsa pjesa tjetër e formacionit do të jetë e njëjtë si me ndeshjen në Poloni, ku Berisha do të mbrojë portën, Ismajli, Kumbulla e Gjimshiti do të rreshtohen në prapavijë dhe Gjasula, Abrashi e Trashi do të kompletojnë mesfushën.

Futbollistët e dy skuadrave do të zbresin në fushë në orën 18:00, por emocionet në ekranin e Supersport 2 nisin 60 minuta më herët me emisionin “Kuqezi”, që do të përcjellë atmosferën në “Elbasan Arena”, intervista ekskluzive, analiza e parashikime për sfidën.


Shtuar 5.09.2021 09:09