Sezoni i ri hapet sonte (e mërkurë) në qytetin austriak të Salzburgut, ku “Red Bull Arena” do të presë duelin e Superkupës së UEFA-s ndërmjet Paris Saint-Germainit dhe Aston Villës.
Të lidhura
None found
Skuadra franceze paraqitet në këtë sfidë me statusin e kampiones së Evropës. PSG-ja e fitoi Ligën e Kampionëve për të dytin vit radhazi, pasi triumfoi ndaj Arsenalit përmes goditjeve të penalltive.
Aston Villa, ndërkaq, e siguroi vendin në Superkupë falë triumfit në Europa League. Në ndeshjen finale, skuadra angleze mposhti Freiburgun me rezultat 3-0.
Një çështje e rëndësishme para kësaj përballjeje lidhet me mënyrën se si do të përcaktohet fituesi nëse rezultati mbetet i barabartë pas 90 minutave.
Rregullorja e UEFA-s përcakton se në një rast të tillë nuk zhvillohen vazhdime. Pas një barazimi në kohën e rregullt, skuadrat kalojnë menjëherë te goditjet nga pika e bardhë.
Kjo do të thotë se, ndryshe nga shumë sfida të fazës eliminuese në Ligën e Kampionëve dhe Europa League, Superkupa e UEFA-s nuk parashikon dy pjesë shtesë me nga 15 minuta.
I njëjti rregull ndikoi drejtpërdrejt edhe në edicionin e kaluar, kur PSG-ja e ngriti trofeun pas fitores me penallti kundër Tottenhamit.
Në atë takim, francezët po humbnin 2-0, por reaguan në minutat e fundit dhe arritën ta barazonin rezultatin, duke bërë që ndeshja të shkonte drejtpërdrejt te penalltitë.
Rregullat nuk kanë ndryshuar as këtë vit. Nëse PSG-ja dhe Aston Villa e mbyllin pa fitues kohën e rregullt në Salzburg, skuadra që do ta fitojë trofeun do të përcaktohet menjëherë nga goditjet e penalltive.
