Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka pranuar se gjatë largimit nga një samit i NATO-s në Turqi muajin e kaluar, e ndërroi avionin në fshehtësi për shkak të një kërcënimi të mundshëm.
Gjithashtu, Presidenti amerikan, u shpreh para gazetarëve se kishte ndjekur udhëzimet e Shërbimit Sekret dhe të ushtrisë.
Të lidhura
None found
“Unë zgjedh Shërbimin Sekret dhe ushtrinë. Ata donin që unë të udhëtoja me një fluturim tjetër, një aeroplan tjetër”, deklaroi Trump, duke shtuar: “Thjesht duhet të bëj atë që thonë ata”.
Konfirmimi pason raportimet sipas të cilave, më 8 korrik, Trump u ngjit në Air Force One përpara kamerave televizive, ndërsa më pas, me ndihmën e një kamioni ushqimor, u transferua fshehurazi në një avion ushtarak.
Gazetarët dhe disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë që ndodheshin në bord nuk ishin në dijeni se presidenti amerikan ishte larguar nga avioni.
Ky veprim ishte pjesë e një skeme të përpunuar mashtruese, të ndërmarrë si përgjigje ndaj kërcënimit të mundshëm iranian.
Vendimi i marrë në çastet e fundit nxiti pikëpyetje nëse personat që qëndruan në avionin e përdorur si karrem ishin ekspozuar ndaj rrezikut.
Megjithatë, të martën Trump këmbënguli se rreziku ishte “më i madh” për avionin ushtarak ku ai kishte hipur.
Zyrtarë amerikanë i thanë CBS News, partnerit në SHBA të BBC-së, se Shtetet e Bashkuara kishin identifikuar një kërcënim të besueshëm nga Irani për të goditur avionin me raketë.
Ndërkohë, New York Times raportoi se shërbimet amerikane të inteligjencës dispononin të dhëna për një person pranë samitit të NATO-s, i cili ishte parë me një raketë që lëshohej nga supi.
Gjatë samitit në Ankara, Trump kishte deklaruar më herët se ishte “objektivi numër një” i Iranit.
“Mendoj se kishte një kërcënim atje jashtë”, tha ai të martën, gjatë një vizite në bordin e Air Force One në kuadër të një aktiviteti në Ohio. Presidenti vijoi: “Nuk pyeta shumë për këtë. Marr shumë kërcënime”.
“Kam shumë kërcënime për të cilat ju nuk jeni në dijeni”, shtoi Trump.
Operacioni i fshehtë i muajit të kaluar, u zhvillua një ditë pasi SHBA-të kishin rinisur goditjet ushtarake kundër Iranit.
Sulmet pasuan dështimin e bisedimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit për përfundimin e luftës.
Trump kishte udhëtuar drejt Turqisë me një Boeing 747-8 më të ri, të dhuruar nga Katari. Megjithatë, ai kishte njoftuar se kthimin do ta bënte me Air Force One të vjetër, “për hir të kohërave të vjetra”.
