Prag ndeshja me Anglinë, Hjulmand: Pamë vdekjen me sy, luajmë pa frikë

Danimarka ka rezultuar deri tani surpriza më e bukur e Euro 2020. Kombëtarja e drejtuar nga Kasper Hjulmand këtë të mërkurë do të sfidojë Anglinë në Wembley në sfidën më të rëndësishme mes tyre në histori pasi kjo përballje vlen një biletë për në finalen e madhe të kampionatit europianit, një ndjesi që Danimarka e ka provuar në vitin 1992 kur erdhi nga pushimet dhe arriti të shpallej kampione e Europës. Përpara kësaj sfide trajneri Kasper Hjulmand është shfaqur optimist duke nënvizuar se Danimarka e tij nuk ka aspak frikë nga Anglia.

“Gjatë këtyre tre javëve të fundit kam përjetuar më shumë emocione sesa përgjatë gjithë jetës time. Ka qenë me të vërtet të çmendura. Ne u përballëm me vdekjen në një mënyrë në një mënyrë që kurrë nuk e kisha menduar dhe imagjinuar. Ne për pak sa nuk humbëm, lojtarin tonë më të mirë, shokun tonë më të mirë, zemrën e skuadrës. Situata që përjetuam me Christian Eriksen na dha forcë për të vazhduar përpara me më shumë besim dhe për fatin tonë mirë në 3 ndeshjet e fundit kemi zhvilluar një futboll fantastik që na ka sjellë këtu ku jemi. Unë jam shumë i lumtur për mbështetjen dhe dashurinë që na përcjellë populli danez dhe për këtë duam t’ua shpërblejmë. Tani vëmendja jonë shkon te sfida ndaj Anglisë në të cilën do të kërkojmë të marrim maksimumin edhe pse objektivin tonë kryesor në këtë Europian e kemi arritur”.

Sipas Hjulmand të 4-ta skuadrat që do të duelojnë në gjysmëfinalet e Euro 2020 kanë filozofinë e tyre të lojës përfshirë edhe Danimarkën.

“ Ne nuk kemi frikë nga Anglia por mendoj që edhe ata nuk kanë frikë nga ne. Nuk mendoj që Anglia ka ndonjë pikë të dobët, por unë jam i bindur që ndaj çdo rivali në këtë Europian mund të gjesh hapësira për të pasuar topin, për të sulmuar dhe për të shënuar. Megjithatë Anglia është një skuadër e kompletuar dhe mendoj se ndaj tyre misioni ynë për t’u kualifikuar do të jetë shumë i vështirë”.


Shtuar 6.07.2021 14:51