Nuk besoj se duhet ta nënshkruajmë”, raporti sekret që për pak pengoi transferimin e Lionel Messit

Kalimi i Lionel Messit te Barcelona rrezikoi të mos ndodhte kurrë, pasi disa drejtues të akademisë katalanase nuk ishin bindur për potencialin e tij gjatë periudhës së provave në La Masia, në vjeshtën e vitit 2000.

Dyshimet për argjentinasin 13-vjeçar nga Rosario dalin në pah në tri raporte të brendshme të hartuara në atë periudhë. Dokumentet u publikuan nga Florent Torchut, gazetar i France Football dhe autor i biografisë “Rey Leo”.

Të lidhura

None found

Raporti i parë evidentonte cilësitë e veçanta teknike të Messit, vizionin e tij në fushë dhe aftësinë për të dribluar kundërshtarët. Megjithatë, në të njëjtin vlerësim nënvizohej se fiziku përbënte dobësinë kryesore të tij.

Raporti i dytë kishte një qëndrim dukshëm më skeptik. Trajneri që po e ndiqte nga afër argjentinasin ngrinte shqetësimin se gjatësia e tij prej vetëm 142 centimetrash mund ta vështirësonte përballjen me lojtarë të kategorive më të mëdha të moshave.

“Unë mendoj se nuk duhet ta nënshkruajmë”, shkruhej në dokument, ku sugjerohej që Barcelona të priste disa vite dhe më pas të shqyrtonte sërish mundësinë për ta afruar Messin.

Ndryshe mendonte trajneri i tretë, i cili dallonte te lojtari i ri aftësitë për t’u shndërruar në një futbollist të jashtëzakonshëm.

“Duke marrë parasysh të gjitha gjërat, ai është një Maradona (i ri). Unë do ta nënshkruaja, pasi ka hapësirë të jashtëzakonshme për t’u zhvilluar”, deklaronte ai në raportin e tij.

Barcelona përfundimisht zgjodhi t’i besonte talentit të Messit, një vendim që më vonë do të cilësohej si një nga më të rëndësishmit në historinë e klubit.

Me fanellën katalanase, Messi u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Barcelonën. Ai shënoi 672 gola në 778 ndeshje zyrtare dhe fitoi gjithsej 35 trofe.

Mbi 25 vjet pas provave në La Masia, këto raporte tregojnë se dyshimet për zhvillimin fizik të një 13-vjeçari mund të kishin ndryshuar historinë e futbollit. Nëse Barcelona do të merrte një vendim tjetër, klubi mund të mos e kishte pasur kurrë një prej lojtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.


Shtuar më 15.10.2026 16:46