“Nga një tjetër galaksi dhe nga lagjja ime”, murali impresionues për Messin

Lionel Messi nuk e ka harruar kurrë vendlindjen e as vendlindja atë. Në Rosario, në Argjentinë, në qytetin ku Lionel Messi u rrit, i kanë kushtuar një mural shumë impresionues duke përjetësuar 6 herë fituesin e Topit të Artë.

“Nga një tjetër galaksi….dhe nga lagjja ime”, është shkrimi i dedikur në mural për Messin e ngritur pranë zones kur ylli i futbollit botëror ka bërë shkollën në fëmijëri.

Një nga krijuesit e veprës, Fernando Lerena tha se murali është 14 metra i lartë dhe 8 metra i gjerë dhe qëndron në murin e një ndërtese në La Bajada, vendi ku Messi jetonte përballë me shkollën e tij fillore.

“Përveçse është një nga figurat më të mëdha në futbollin botëror, më i madhi për ne, ai është një figurë e përulësisë, e lagjes tone dhe mban të paprekura rrënjët e tij”, shpjegoi artisti Fernando Lerena, i cili krijoi muralin së bashku me Maxi Ledesma, Marlen Zuriaga dhe Lisandro Urteagan.

Kujtojmë që Messi ka premtuar gjithmonë që një ditë do të donte të luante në vendlindje me Rosarion dhe se nëse do të largohej nga katalanasit, nuk do ta bënte për asnjë ekip tjetër e vetëm për skuadrën e qytetit të tij. Ylli argjentinas është aktualisht pa kontratë por gjithsesi edhe disa vite pritet ta shikojmë me Barcelonën e ndoshta në fund të karrierës të veshë fanellën e Rosarios.


Shtuar 2.07.2021 18:36

Tags: ,