Laçi do të presë Egnatian në Kurbin, në sfidën e vlefshme për javën e 6-të të Superiores. Para takimit, që do të zhvillohet në orën 13:30, trajneri i skuadrës rrogozhinase, Nevil Dede, ka folur për situatën e ekipit dhe për kundërshtarin.
Të lidhura
None found
Sa i përket pezullimeve, për fat të mirë nuk kemi të tilla deri tani dhe shpresoj që të vazhdojë kështu. Për problemet e tjera, veçanërisht ato muskulare dhe shëndetësore, mungesa e Bakayokos është bërë e ditur prej kohësh dhe rikthimi i tij do të kërkojë një periudhë relativisht të gjatë. Ndërkohë, me Fernandon po tregohemi të kujdesshëm dhe po ndjekim trajtimin e duhur, në mënyrë që të mos e sakrifikojmë para kohe. Nuk është çështje numri lojtarësh, por rëndësi ka që në fund çdo futbollist i yni të jetë i shëndetshëm dhe në gjendje të plotë.
Laçi është një ekip që meriton respekt. Përveç traditës si skuadër e fortë, sidomos në fushën e vet, tashmë ka edhe një grup të ri lojtarësh që karakterizohet nga entuziazmi i madh. Mendoj se pikërisht kjo është forca kryesore e tyre: dëshira për të dhënë maksimumin dhe për të bërë mirë.
Edhe në fundin e sezonit të kaluar, kur u promovuan në Korçë, ata treguan shumë seriozitet, pasi e merituan ngjitjen përmes fitores ndaj Skënderbeut. Kjo dëshmon dëshirën e tyre, seriozitetin dhe mënyrën se si synojnë të imponohen në futbollin shqiptar. Entuziazmi, cilësia, mosha e re dhe fakti që luajnë në fushën e tyre, e cila besoj se është një nga armët e forta të tyre, janë elementët kryesorë ndaj të cilëve duhet të bëjmë kujdes.
Perfeksioni nuk arrihet asnjëherë. Çdo ditë duhet të punojmë së bashku me futbollistët për të korrigjuar dhe përmirësuar çdo detaj të lojës sonë. Për sa kohë do të jemi pjesë dhe kontribuues të Egnatias, si unë, ashtu edhe lojtarët, do të përpiqemi të ecim përpara çdo ditë. Këmbëngulja dhe përulësia duhet të jenë armët tona në stërvitje, për t’i përkthyer më pas në ndeshje dhe për të ruajtur standardin që synojmë ta rrisim vazhdimisht.
Balanca mes futbollit sulmues dhe mbrojtjes është një diskutim që ekziston që prej krijimit të futbollit. Në fund, objektivi është të shënojmë një gol më shumë se kundërshtari. Asnjë trajner nuk ndihet mirë kur skuadra pëson një goditje në portë, aq më pak kur pëson gol. Për mua, ekuilibri dhe struktura e ekipit janë thelbësore.
Djemtë e kuptojnë se përpara kemi një rrugëtim të fortë, të gjatë dhe të rëndësishëm. Ata po tregohen shumë seriozë dhe çdo ditë po punojmë për të rregulluar edhe detajet më të vogla e më specifike. Se sa do t’ia dalim, do ta tregojnë vetë lojtarët nesër në fushë, u shpreh Dede.





