“Ministri i Mbrojtjes”, FSHF surprizon ‘heroin e heshtur’ të Euro 2016

Sot është një ditë e shënjuar për Burim Kukelin. Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare feston ditëlindjen teksa mbush 40 vite jetë. Kukeli njihet gjerësisht si heroi i heshtur i atij suksesi historik në Euro 2016 me ish-mesfushorin që ishte jetik për De Biasin dhe shokët e skuadrës.

Kukeli luajti 27 ndeshje me fanellën kuqezi në 5 vite duke shkruar emrin e tij me gërma të arta në historinë e futbollit shqiptar. Në këtë ditë të veçantë s’kishte si të mungonte edhe urimi special nga FSHF. “Ministri i Mbrojtjes”, i drejtohet Federata në urimin e saj në rrjete sociale.

“7 shtator 2012, 5 shtator 2017. 5 vite kuqezi, shumë djersë e derdhur në fushën e blertë, i gatshëm për të luajtur në mbrojtje e mesfushë, pa shumë fjalë! Burim Kukeli, Ministër Mbrojtjeje me Kombëtaren pjesë e kuqezinjve në Euro 2016, feston sot ditëlindjen e 40-të dhe familja e madhe e futbollit shqiptar dëshiron më të mirat për luftëtarin kuqezi! Gëzuar ditëlindjen Burim”, shkruan FSHF. /newsport.al/


Shtuar 16.01.2024 20:31