Menaxheri i njohur shpall fituesin e “Topit të Artë”, ende pa u zhvilluar ceremonia

Fabrizio Romano ka konfirmuar lajmin që po qarkullon prej disa kohësh. Lionel Messi do të fitojë “Topin e Artë” 2023.

Çmimi prestigjoz do të ketë një pronar të ri brenda pak ditësh. Të hënën zyrtarisht do të bëhet e qartë se kush do të jetë fituesi i çmimit individual.

Prej disa kohësh në skenën e futbollit qarkullojnë informacione se Lionel Messi do ta fitojë sërish “Topin e Artë”, për të tetën herë.

Këtë tashmë e konfirmon edhe gazetari italian, Fabrizio Romano. Eksperti i merkatos shkruan se Messi është informuar për këtë gjë.


“Lionel Messi u informua se duhet të jetë në Paris të hënën mbrëma dhe të përgatisë një veshje zyrtare. Ai e di se çfarë do të thotë. Se ka fituar “Topin e Artë” për të tetën herë. Gjithçka e tregon këtë”, tregon Romano.

Vitin e kaluar, “Topin e Artë” e fitoi sulmuesi francez Karim Benzema, i cili u largua nga Real Madrid në fund të sezonit të kaluar dhe u transferua në Arabinë Saudite.

Duket se trofeu i kampionit të botës me Argjentinën në “Katar 2022” ka bërë që Leo të jetë sërish fituesi i çmimit më të madh individual.


Shtuar 26.10.2023 19:30