Mbappe kërkon të largohet, PSG tenton sulmin Ronaldo-Messi

Mediat spanjolle raportojnë se Kylian Mbappe është duke bërë presion që të largohet drejt Real Madridit dhe ky transferim do t’i hapte rrugë kalimit të Cristiano Ronaldos drejt Paris Saint-Germainit duke formuar dyshen e ëndrrave CR7-Lionel Messi.

Burimet e El Chiringuito TV, Josep Pedrerol, Cadena SER e El Transistor, pohojnë se anësori francez e ka njoftuar klubin kryeqytetas se dëshiron të shkojë te Los Blancos.

Arritja e Messit nuk e ka bindur kampionin e botës që ta shohë të ardhmen e tij në Parc des Princes dhe nuk është i gatshëm të nënshkruajë kontratë të re.

Duke qenë se do të jetë lojtar i lirë në qershor të vitit 2022, opsioni i vetëm i PSG-së është që ta shesë atë për një shumë të majme parash.

Në këtë rast, parisienët do t’i ktheheshin planit të mëparshëm – transferimit të Ronaldos nga Juventusi (që ishte Plani A para se Messi të bëhej lojtar i lirë nga Barcelona).

Kontrata e superyllit portugez te Zonja e Vjetër është në sezonin final dhe Bianconerët mund ta lejojnë të largohet për 30 milionë euro (që duke hequr edhe rrogën e tij prej 31 milionë eurosh nga lista e pagave, Juve do të përfitonte rreth 61 milionë euro nga largimi eventual).

Në anën tjetër, te Paris Saint-Germain i do të formohej sulmi me dy lojtarët më të mirë në 15 vitet e fundit dhe ndër më të mirë në histori të futbollit.


Shtuar 17.08.2021 11:14