Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Florian Plettenberg, Mançester Siti ka treguar gatishmërinë për të hedhur në tavolinë 100 milionë euro për sulmuesin anësor të RB Lajpcigut, Jan Diomande.
Ende nuk ka një propozim konkret të depozituar, por siç bën të ditur Plettenberg, kanë filluar kontaktet paraprake mes dy skuadrave. Edhe kolegu i tij, Philipp Hinze, ka konfirmuar se dialogu është në vazhdim e sipër.
Të lidhura
None found
Kërkesa për talentin 19-vjeçar është tejet e lartë. Më parë, Liverpuli dhe Real Madridi kanë tentuar ta sigurojnë atë me oferta në shifrat e 100 milionë eurove, por Lajpcigu i ka kthyer mbrapsht të dyja propozimet, duke treguar vendosmërinë për të mos e lënë lojtarin të largohet.
Plettenberg shton se Paris Sen-Zhermeni nuk ka lëvizur ende me një ofertë zyrtare për Diomanden.
Sezoni 2025/26 ishte një shpërthim i vërtetë për sulmuesin e Kombëtares së Bregut të Fildishtë, i cili në 36 ndeshje në të gjitha kompeticionet ka shënuar 13 gola dhe ka dhuruar 10 pasime vendimtare.
Diomande ka një marrëveshje me Lajpcigun që zgjat deri në vitin 2030, një fakt që i siguron klubit gjerman një dorë të fortë në bisedime, ndërsa vëmendja nga gjigantët europianë për sulmuesin vijon të shtohet.
Tani që Mançester Siti po vlerëson seriozisht një ofertë 100 milionë euro, beteja për talentin afrikan pritet të marrë përmasa edhe më të zjarrta.
