Man City synon të përmbysë vendimin me 24 dëshmitarë dhe dokumente sekrete

Manchester City thotë se ka në dispozicion “prova të pakundërshtueshme” që mund të ndryshojnë vendimin e marrë ndaj klubit për shkeljet financiare në Ligën Premier.

Të lidhura

None found

Sipas gazetës britanike The Telegraph, në mesin e materialeve janë email-e, letra dhe pasqyra bankare.

Klubi anglez pritet të kërkojë rishikimin e provave, ku përfshihen dokumente të qeverisë së Abu Dhabit, dëshmi për pagesat, si dhe deklarata të 24 dëshmitarëve. Sipas Cityt, këto materiale u përjashtuan në mënyrë të padrejtë gjatë shqyrtimit të parë të çështjes.

Përfaqësuesit ligjorë të Manchester Cityt do të përpiqen të argumentojnë se komisioni i pavarur ka kryer “gabime thelbësore” gjatë vlerësimit të akuzave të Ligës Premier.

Komisioni kishte arritur në përfundimin se të hyrat komerciale të klubit ishin rritur artificialisht me rreth 1.06 miliard euro.

Manchester City beson se pasqyrat bankare dhe dokumentet qeveritare përforcojnë pretendimin se qeveria e Abu Dhabit ka financuar pagesa që lidhen me marrëveshjet e sponsorizimit.

Gjithashtu, klubi synon të dorëzojë konfirmime të reja nga zyrtarët e Abu Dhabit dhe të vërë në dyshim ato që i cilëson si mospërputhje në përfundimet e komisionit.

Procedura e apelit mund të sjellë shfajësimin e plotë ose të pjesshëm të Manchester Cityt, ndërsa një tjetër skenar është rikthimi i çështjes për rigjykim.


Shtuar më 16.10.2026 19:09