Malisheva dhe Prishtina u ndanë në barazim 1-1 në përballjen e javës së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll.
Të lidhura
None found
Takimi u zhvillua në stadiumin “Liman Gegaj”, ku skuadra vendase e zhbllokoi rezultatin në minutën e 29-të.
Xhemal Ibishi përfitoi nga një aksion individual brenda zonës së Prishtinës dhe shënoi golin që i dha Malishevës avantazhin 1-0.
Prishtina kërkoi mundësi për të reaguar dhe në pjesën e dytë arriti ta barazojë rezultatin. Në minutën e 76-të, Assane Diatta u tregua i saktë nga pika e penalltisë.
Një minutë më herët, Blendi Baftiu kishte fituar penalltinë. Gjyqtari kryesor Mervan Bejtullahu fillimisht dha goditje dënimi, por pas rishikimit të rastit nga dhoma e VAR-it e ndryshoi vendimin, duke akorduar penallti për Prishtinën.
Asnjëra prej skuadrave nuk mundi të shënonte më deri në vërshëllimën e fundit, ndaj të dyja ekipet morën nga një pikë.
Me këtë rezultat, Malisheva dhe Prishtina kuotohen me nga 20 pikë në tabelën e Superligës. Malisheva mbetet në vendin e parë, ndërsa Prishtina është e dyta, me një ndeshje më pak të luajtur.




