Lutfi Dalipi po bëhet një nga emrat më të komentuar të këtij sezoni, pasi paraqitjet e sulmuesit me prejardhje nga Presheva kanë tërhequr interesin e klubeve të njohura në Evropë.
Të lidhura
None found
20-vjeçari është pjesë e Vaduzit në formë huazimi nga Young Boys dhe tashmë disa klube kanë nisur të mbledhin të dhëna rreth tij përmes skautëve të tyre.
Raportimi i “4-4-2.ch” bën të ditur se përfaqësues të Fiorentinës, klubit të Serie A, Real Betisit të La Ligës dhe Sporting Bragës nga elita e futbollit portugez, kanë ndjekur nga afër dy ndeshjet e fundit të Dalipit në Superligën zvicerane, përballë Thunit dhe Zürichut.
Young Boys, megjithatë, nuk ka marrë ende një ofertë konkrete për futbollistin, i cili është i lidhur me klubin deri në vitin 2030. Klubet e interesuara mund të tentojnë ta transferojnë që gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Te Young Boys janë të kënaqur me progresin e sulmuesit gjatë qëndrimit të tij te Vaduz. Në 12 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, Dalipi ka shënuar katër gola dhe ka regjistruar tetë asistime.
Roli i tij kryesor aktualisht është ai i qendërsulmuesit, ndërsa mund të aktivizohet edhe në mesfushën ofensive, pas sulmuesit kryesor. Cilësitë që e dallojnë janë teknika e lartë, vizioni i mirë dhe shpejtësia.
Vlera e Dalipit në tregun e transferimeve përllogaritet tashmë nga 2 deri në 3.5 milionë euro. Në rast shitjeje, Young Boys do të synonte gjithashtu të siguronte një përqindje nga transferimi i ardhshëm.
Aktualisht, ai është pjesë e grumbullimit të Kombëtares U21 të Zvicrës. Megjithatë, sulmuesi mund të përfaqësojë edhe Kosovën ose Shqipërinë, të cilat e kanë kontaktuar zyrtarisht.
