Luhen 5 beteja vendimtare, Superiorja zbret sot e gjitha në fushë

Ditën e sotme luhen të gjitha ndeshjet e javës së 30 të Kategorisë Superiore dhe janë rezervuar sfida shumë të zjarrta. Dy ndeshje janë planifikuar për t’u luajtur në orën 13:00.

Në Korçë  luhet një duel direkt për vendin e tetë. Skënderbeu e ka Bylisin stacionin e fundit për të mundur të mbajë shpresat gjallë për qëndrimin në elitën e futbollit tonë.

Në të njëjtën orë luhet edhe në Fier. Apolonia, e dorëzuar tashmë, pret Kastriotin, në luftë për të evituar vendin e tetë. Në orën 16:00 janë rezervuar tre sfida “zjarri”.

Në “Elbasan Arena” Kukësi luan ndaj Teutës si pritës. Të dyja skuadrat vijnë nga humbje të dhimbshme në javën e shkuar dhe fitoren e kanë më shumë se detyrë sot.

Betejë titanësh luhet edhe në “Selman Stermasi”, ku Tirana pret kryesuesit e Vllaznisë. Bardheblutë kanë treguar edhe dy herë të tjera më parë se specialiteti i tyre është të mundin kryesuesit.

Ndërkohë, në Laç luhet për të përcaktuar qartë pretendentët. Vendasit sfidojnë Partizanin. Të kuqtë duan fitoren për të mbajtur dy vendet e para, ndërsa Laçi do tentojë të qëndrojë afër tre skuadrave më lart në renditje. Kjo sfidë tregon shumë.

Kategoria Superiore
Java 30, 28 prill 2021
Ora 13:00 | Skënderbeu-Bylis
Ora 13:00 | Apolonia Kastrioti
Ora 16:00 |Kukësi-Teuta
Ora 16:00 |Tirana-Vllaznia
Ora 16:00 | Laçi-Partizani


Shtuar 28.04.2021 09:48