Trajneri Liridon Leci ka dalë për herë të parë para opinionit për të komentuar situatën e fundit, duke theksuar se nuk ka sulmuar asnjë person.
Të lidhura
None found
TV Dukagjini kishte raportuar më parë se kontrata e Lecit është ndërprerë pas një “incidenti” me ish-futbollisten Edonisa Aliu, duke shtuar edhe pretendimin se ish-lojtari i Dritës e kishte sulmuar fizikisht atë.
Përmes një postimi në “Facebook”, Leci ka hedhur poshtë këto raportime, duke deklaruar se Aliu nuk është sulmuar nga ai.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
“Dua të sqaroj se bashkëpunimin me televizionin e kam ndërprerë vetë, mbrëmë, drejtpërdrejt në emision. Nuk ka qenë televizioni ai që ma ka ndërprerë kontratën.
Gjithashtu, dua të theksoj se nuk kam sulmuar askënd dhe as nuk kam pasur për qëllim të fyej apo të denigroj ndonjë person, e aq më pak ndonjë femër.
Prandaj, kërkoj që të mos shtrembërohen fjalët e mia dhe të mos përhapen informacione të pavërteta. Besoj se faktet duhet të flasin vetë dhe se secili duhet të mbajë përgjegjësi për atë që thotë dhe për mënyrën se si i interpreton fjalët e të tjerëve”, thuhet ndër të tjera.




