Laçi heroik, thyen Podgoricën 3-0 pas 120 minutave dhe avancon në Conference League (VIDEO)

Pritej përmbysja dhe përmbysje ndodhi. Pas Partizanit që arriti të kualifikohej në raundin e dytë të Conference League, edhe Laçi arrin të kualifikohet edhe pse vuajti por shpërdoroi shumë.

Në “Elbasan Arena”, skuadra e Shpëtim Duros vinte pas humbjes 1-0 në Podgoricë por arriti ta përmbyste rezultatin dhe të fitojë 3-0 në 120 minuta lojë.

Në pjesën e parë ishte një lojë dominuese nga Laçi që vetëm fati dhe portieri kundërshtar e penguan për të gjetur golin e avantazhit.

Deliu në minutën e 8′ dhe Lushkja në të 31′ ishin dy raste të pastra të humbura në mënyrë të pabesueshme nga kurbinasit, teksa në 32′ Mazrekaj goditi edhe shtyllën.

Pjesa e dytë është flet sërish për Laçin që e nis me raste të tjera të humbura nga Deliu qe i vetëm para portës nuk ia del por arrin ta shlyej gabimin kur në 60′ përfiton nga paqartësia e malazezëve në zonë për të thyer më në fund Podgoricën.

Edhe pse më pas ekipi kurbinas tentoi të shenonte sërish, nuk ia arriti dhe loja shkoi në shtesë.
Edhe ketu, fusha foli vetëm për Laçin që gjeti menjëherë golin në minutën e 93′ me Regi Lushkjan i cili mjeshtërisht u shërbye nga Mazrekaj.

Laçi rigjen qetësinë me golin e dytë por i jep edhe goditjen finale Podgoricës me golin e Prengës në 113′ duke mbyllur sfidën me rezultatin 3-0. Tashmë Laçi kalon në raundin e dytë me meritë dhe aty do të përballet me rumunët e Craiovas.

Shtuar 15.07.2021 22:48