Ky është kushti i Kylian Mbappe për të firmosur me Real Madridin

Janë të paktë futbollistët që kanë fituar një Kupë Bote pa i mbushur 20 vjeç. Edhe më të paktë ata që kanë luajtur një rol vendimtar në rrugën e skuadrës së tij drejt titullit që përfaqëson kulmin në karrierën ndërkombëtare të çdo futbollisti. Tashmë ky trofe është në palmaresin e Kylian Mbappesë.

Ylli francez pas 60 ditësh hyn në gjashtë muajt e fundit të kontratës së tij me PSG dhe, për rrjedhojë, do të jetë i lirë të firmosë në fund të sezonit me skuadrën që dëshiron (Realin e Madridit). Përveçse të klubi “merengues”, Mbappe e ka mendjen edhe te Lojërat Olimpike 2024, në Paris, kur do të jetë 25 vjeç. Javën e kaluar, në prononcim për “L’Équipe”, me rastin e 1000 ditëve të mbetura deri në ngjarjen e ardhshme olimpike verore, Kylian shprehu dëshirën e tij për të marrë pjesë në Lojërat që do të zhvillohen në kryeqytetin francez.

Ai dëshironte të merrte pjesë edhe në Olimpiadën e Tokios, në verë, por u shpreh se “ata më prenë barin nën këmbë”, duke iu referuar refuzimit të PSG-së për të autorizuar pjesëmarrjen e tij në eventin e zhvilluar në kryeqytetin e Japonisë.

Në kontratën e tij të ardhshme mund të përfshijë një klauzolë që Reali (ose një klub tjetër, mbetet për t’u parë) ta lejojë të marrë pjesë në Olimpiadën e vitit 2024, që do të nisë më 25 korrik, pak javë pas përfundimit të Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”. Përfaqësuesja olimpike e Francës nuk është ngjitur në podiumin olimpik që nga viti 1984 në Los Angeles (fitoi medaljen e artë).

Reali i Madridit është trampolina perfekte për të paraqitur kandidaturën për Topin e Artë. Me fanellën e bardhë këtë trofe individual e kanë fituar Figo, Ronaldo, Cannavaro, Cristiano Ronaldo katër herë dhe Modric.


Shtuar 3.11.2021 15:03