Milot Rashica po distancohet gjithnjë e më shumë nga Besiktasi, me raportin mes sulmuesit shqiptar dhe klubit turk që duket se po shkon drejt një përfundimi të tensionuar. Në ndeshjen e fundit, futbollisti nga Vushtrria nuk u përfshi as në stolin e rezervave, çka tregon se ai nuk llogaritet më në projektin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
Të lidhura
None found
Media turke raportojnë se Besiktasi është gati t’i paguajë 30-vjeçarit të gjitha detyrimet financiare, nëse ai pranon të ndahet nga klubi. Rashica, megjithatë, nuk e dëshiron një largim dhe ka bërë të ditur se ndihet mirë në ekipin e Stambollit.
Pakënaqësia e krijuar mund të ndikojë edhe në vazhdimësinë e karrierës së tij, pasi ekziston rreziku që klubi ta përjashtojë nga planet dhe ta mbajë në tribunë gjatë sezonit. Kontrata e sulmuesit shqiptar me Besiktasin skadon pas një viti.
Rashica iu bashkua Besiktasit në verën e vitit 2023, kur u transferua nga Norwich për rreth 5 milionë euro. Pavarësisht interesimit të disa skuadrave, mes tyre edhe Erzurumspori, deri në këtë moment lojtari nuk ka dhënë miratimin për një transferim.
