Kina bllokon transmetimet e La Ligës pas polemikës me Mbappen

Televizioni shtetëror kinez CCTV ka ndalur transmetimin e ndeshjeve të La Ligës spanjolle, duke zbatuar paralajmërimin e dhënë pas debatit të krijuar nga një deklaratë e sulmuesit të Real Madridit, Kylian Mbappe.

Reagimi në Kinë erdhi pasi futbollisti francez përmendi, gjatë një interviste, si një nga memet e tij të preferuara në internet një fotomontazh ku fytyra e tij ishte vendosur mbi trupin e ish-udhëheqësit kinez Mao Ce Dun.

Të lidhura

None found

Ndeshjet e kampionatit spanjoll munguan në programin e fundjavës së kaluar të CCTV-së. Paralelisht, aplikacioni zyrtar i transmetuesit hoqi edhe materialet që lidheshin me Real Madridin.

Masa të ngjashme u ndërmorën edhe në platformat online. Migu, partneri ekskluziv dixhital i La Ligës në Kinë, e largoi nga oferta ndeshjen e Real Madridit.

Sipas Marca-s, platforma fshiu gjithashtu pamjet e golave dhe paraqitjeve të mëparshme të Mbappes, ndërsa ndeshjet e tjera të La Ligës vijuan të ishin të aksesueshme.

Shkak për përplasjen u bë komenti i Mbappes për një meme ku ai shfaqej me imazhin e Mao Ce Dunit, figurës historike që themeloi Republikën Popullore të Kinës. Sulmuesi nuk e përmendi drejtpërdrejt emrin e tij, por fotomontazhi shkaktoi zemërim të madh në vendin aziatik.

Pas kësaj, disa kompani kineze ndërprenë marrëveshjet e sponsorizimit me futbollistin. Po ashtu, televizioni shtetëror hoqi nga programi transmetimet e La Ligës dhe reklamat ku shfaqej ylli francez.

Mbappe reagoi duke kërkuar falje në tri gjuhë: frëngjisht, kinezisht dhe anglisht. Për të ulur tensionet, presidenti i La Ligës, Javier Tebas, i dërgoi një letër zyrtare Grupit Mediatik të Kinës (CMG).

Një kërkimfalje bëri edhe Real Madridi, i cili shprehu respektin e madh të klubit për Kinën.

Autoritetet dhe mediat shtetërore kineze kanë bërë të ditur se letrat janë marrë, por ende nuk kanë dhënë një përgjigje përfundimtare nëse këto kërkimfalje konsiderohen të mjaftueshme.

Aktualisht mbetet e paqartë se kur do të rikthehen transmetimet e La Ligës në CCTV dhe në platformat e tjera kineze.


Shtuar më 1.11.2026 15:14