“Kemi dhe 3 ndeshje për kualifikimin”, Alban Bushi vë në piedestal Fetain: Më i miri i të gjitha kohërave

Shqipëria U-21 ka humbur 1 me 3 përballë Zvicrës U-21, takimin e vlefshëm për kualifikueset e Europianit. Kjo humbje vjen pas barazimit 0 me 0 ndaj Finlandës, po në “Air Albania”.

Shpresat mbajnë aktualisht vendin e katërt në grupin E, me pikë të barabarta sa Finlanda. Në përfundim të ndeshjes foli për mikrofonin e SuperSport Alban Bushi.

Trajneri i grupmoshës 21-vjeçare nuk e fshehu zhgënjimin, ndërsa përmendi se do vazhdojnë të luftojnë për 3 ndeshjet e mbetura. Po ashtu ra në sy veçimi i mesfushorit Fetai, që e konsideroi numrin 6 shqiptar më të mirë të të gjitha kohërave.

Sa i zhgënjyer? – “Ne e dinim forcën e Zvicrës. Më i fortë se ne në letër dhe fushë. Ndëshkohemi për gabimet tona. E kam te golat, i japim vetë. Nuk duhet të bëjmë gabimet individuale, pastaj le të na rrahin si na rrahën”.

Objektivi për të qenë në vendet e para? – “Na vjen keq që rrihemi. E dim që kundërshtari më i mirë, kur i sheh në letër nivelet të mëdha. Ata ishin pushim, ne luajtëm para 3 ditëve. Ne objektiv kishim për të kap vend të dytë. Kemi dhe 9 pikë në lojë, mund të ndodhë gjithçka”.

“Ne sot kishim 4 lojtarë dhe për edicionin tjetër. Duhet ta falenderoj Fetain, më i miri i gjithë kohërave në numrin 6. Mund ta krahasoj me Altin Lalën. Zvicra shumë e fortë, jemi të zhgënjyer nga kjo humbje gjithsesi”.

Tifozët? – “Na kanë mbështetur, e di ça suporti të japin. Nuk mund të them që i zhgënjyem se çunat luftuan. Duhet harruar dhe parë ndeshje tjetër”.


Shtuar 26.03.2024 19:23