Teksa po bëhen gati për të marrë zyrtarisht titullin kampion, në ceremoninë që po organizohet për këtë të diel, në përfundim të sfidës me Udinesen, te Interi mund t’i gëzohen një tjetër arritjeje, këtë herë jashtë fushave të lojës.
Grupi Suning, që ka edhe pronësinë e klubit milanez, ka firmosur më në fund marrëveshjen me fondin kalifornian Oaktree Capital Managment, që do të injektojë menjëherë 275 milionë euro në arkat e Interit.
Kjo shifër do të ndihmojë zikaltrit të shlyejnë të gjitha detyrimet e prapambetura, qofshin pagat e futbollistëve, apo pagesa ndaj të tretëve, teksa Oaktree ka marrë përsipër të ndihmojë klubin gjatë tre viteve të ardhshme, në përballimin e humbjeve të shkaktuara nga pandemia.
Nëpërmjet pagesës së kësaj shifre, fondi amerikan merr nën kontroll një pjesë prej rreth 29% të aksioneve të klubit zikaltër, teksa marrëveshja parashikon që nëse Suning nuk shlyen detyrimet për tre vite, atëherë Oaktree merr shumicën e aksioneve.
Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje mjaft të rëndësishme për të ardhmen e klubit, tashmë pritet që Steven Zhang të ulet me Antonio Conten dhe drejtuesit zikaltër, për të rinovuar kontratën e trajnerit dhe për të planifikuar të ardhmen.
Ndonëse nuk parashikohen blerje të mëdha, synimi i zikaltërve është të ruajnë boshtin kryesor të skuadrës dhe të përforcohen me futbollistë me eksperiencë, që janë në skadencë kontrate, apo të rinj të talentuar, kartoni i të cilëve nuk kushton shumë.