Inter në Napoli për t’u afruar me titullin, Atalanta pret Juven

Padyshim viti 2021 ngjan si viti i duhur për të rikthyer Interin te “scudetto” dhe 11 fitoret radhazi në Serinë A i kanë shkëputur zikalëtrit në krye të kampionatit italian, me plot 11 pikë nga rivalët e përjetshëm të Milanit. Prapa ekipit të drejtuar nga trajneri Antonio Conte janë ngjeshur 4 klube në vetëm 4 pikë diferencë.

Kështu 8 javë para përfundimit të këtij edicioni kuqezinjtë e Milanit, kampionët në fuqi të Juventusit, Atalanta dhe Napoli ndahen nga thjesht 4 pikë, megjithatë rivaliteti për Zonën Champions mund të rritet akoma më shumë, nëse Lazio merr maksimumin nga takimi i prapambetur me Torinon.

Matematikisht pa i hyrë llogarive të tjera të ndërlikuara zikaltërve iu nevojiten edhe 13 pikë, për të fituar titullin e parë që nga koha e Jose Mourinhos, në vitin 2010 dhe “scudetto”-n e 19 në historinë e klubit, duke lënë prapa në këtë mënyrë në librin e artë të kampionatit italian pikërisht rivalët e urryer të kryeqendrës lombarde.

Të dielën në mbrëmje në orën 20:45, në Stadiumin “Diego Armando Maradona” formacioni i Conte-s do të bëj maksimumin për t’u afruar akoma më shumë me objektivin madhor, për të siguruar trofeun më të lakmuar në Apenine. Përballë këtë herë qëndron ekipi i Napolit dhe trajneri puljez ka deklaruar se Interi i tij do të udhëtojë drejt Campania-s pa u marrë aspak me llogaritë e të tjerëve, por zikaltërit do të synojnë 3 pikët, për të vijuar rrugën e tyre të fitoreve.

51-vjeçari nga Lecce ndoshta pa shumë zhurmë ka shënjestruar pikërisht rekordin historik jo vetëm të klubit, por gjithashtu edhe të kampionatit italian, me plot 17 fitore radhazi, një ecuri fantastike e regjistruar 14 sezone më parë, kur Interi nën drejtimin e Roberto Mancini-t mposhti çdo kundërshtar që i doli përballë, nga 25 tetori i 2006 deri më 25 shkurtin e vitit 2007.

Interi paraqitet në këtë duel pas 5 fitoreve radhazi jashtë fushe, ndërsa skuadra e Gatuzos krenohet me 6 fitore rresht në shtëpi. Mbi të gjitha ekipi i Napolit e ka shndërruar Stadiumin “Diego Armando Maradona” në një fortesë të vërtetë, duke patur parasysh që në Campania vendasit kanë fituar 9 nga 10 sfidat e fundit në të gjitha kompeticionet, e përjashtim bën vetëm barazimi pa gola me skuadrën e Atalantës, në fazën gjysmëfinale të Kupës së Italisë.

Dueli me Interin çel serinë e ndeshjeve të vështira për Napolin, që të enjten e ardhshme do të presë po në shtëpi një rival të drejtpërdrejtë si ekipi i Lacios, ndërsa takimin e fundit të muajit prill skuadra “azurre” do ta ketë në Piemonte ndaj Torinos. Lista e të dëmtuarve në infermieri është shkurtuar ndjeshëm për vendasit, pasi vazhdojnë të vuajnë probleme fizike vetëm David Ospina dhe Faouzi Ghoulam, ndërsa sulmuesi meksikan Hirving Lozano do të mungojë për shkak të kartonit të verdhë që mori në Gjenovë ndaj Sampdorias.

Në krahun tjetër trajneri Antonio Conte nuk do të ketë në dispozicion mesfushorin Arturo Vidal si dhe mbrojtësin Aleksandar Kolarov. Në Milano zikaltërit kanë fituar dy përballjet e fundit ndërmjet tyre, madje pa pësuar as gol, sidoqoftë vlen të theksohet fakti që në ndeshjen e fundit mes tyre në kampionat, në mesin e muajit dhjetor në Stadiumin “San Siro”, ekipi i Gatuzos ishte shumë i pafat, sepse ndonëse dominoi pjesën e dytë skuadra “azzurre” e mbylli sfidën në inferioritet numerik, pas daljes me karton të kuq të kapitenit Lorenzo Insigne dhe golit të shënuar vetëm pak çaste më vonë nga pika e bardhë e 11-metrave nga Romelu Lukaku, që në të vërtetë përfaqëson edhe tentativën e vetme të Interit drejt portës kundërshtare në gjithë pjesën e dytë të atij takimi.

Sfida Napoli-Inter do të startojë në orën 20:45 në ekranin e Supersport 2, por emocionet e Serisë A do të nisin që në mesditë me përballjen mes Milanit e Genoas, një sfidë mjaft e rëndësishme për kuqezinjtë që duan të blindojnë pozitat në zonën Champions.

Në orën 15:00 vëmendja maksimale do të jetë në Bergamo, ku do të luhet një përballje direkte për zonën Champions, ajo mes Atalantës dhe Juventusit. Kjo sfidë premton të jetë mjaft spektakolare dhe e luftuar, ashtu si gjithmonë në vitet e fundit, ndërsa në të njëjtën orë, në “Olimpico” do të përballen dy vëllezërit Inzaghi, respektivisht në pankinat e Lazios dhe Beneventos.

Të dy këto ekipe kanë objektiva të kundërta, me bardhekaltrit që duan një vend në zonën Champions e Beneventon që lufton për mbijetesë. Sfidë tjetër e Serisë A është ajo mes Torinos e Romës, e planifikuar për në orën 18:00.

Shtuar 18.04.2021 09:04