Harry Kane nuk e ka përjashtuar mundësinë që të vazhdojë ta përfaqësojë Anglinë edhe në Kupën e Botës 2030. Kapiteni i “Tre Luanëve” tha se vendimi do të kushtëzohet nga niveli i paraqitjeve të tij gjatë viteve të ardhshme.
Të lidhura
None found
“Po e mbyll sezonin më të mirë të karrierës dhe së shpejti do të bëhem 33 vjeç. Nuk mund të them që tani nëse do të luaj në Botërorin 2030, pasi katër vite përbëjnë një periudhë shumë të gjatë”, deklaroi Kane.
Sulmuesi anglez theksoi se përfaqësimi i kombëtares mbetet synimi dhe krenaria e tij më e madhe, por shtoi se ende nuk mund të japë një përgjigje përfundimtare.
“Ambicia ime kryesore është të luaj për Anglinë dhe kjo është krenaria më e madhe që mund të përjetoj. Mbetet për t’u parë”, u shpreh ai.
Kane bëri të qartë se nuk dëshiron të projektojë të ardhmen shumë larg, pasi për momentin është i përqendruar te ruajtja e formës së tij.
“Nëse vazhdoj të luaj në këtë nivel, do të vijoj ta përfaqësoj Anglinë. Dua t’i marr gjërat hap pas hapi dhe të mos mendoj shumë përpara”, tha sulmuesi.
“Brenda pak javësh do të rikthehem te Bayern Munich. Më pas do të jetë grumbullimi i ardhshëm me Anglinë dhe prej aty do të vazhdojmë”, shtoi Kane.
Anglia e përfundoi Kupën e Botës 2026 në pozitën e tretë, pasi në ndeshjen përcaktuese për këtë vend triumfoi 6-4 ndaj Francës.
Rrugëtimi i “Tre Luanëve” drejt finales ishte ndërprerë në gjysmëfinale, ku Argjentina i mposhti me rezultat 2-1.
Kane vjen nga një sezon i jashtëzakonshëm me Bayern Munich dhe kombëtaren angleze. Në 65 paraqitje, ai shënoi 73 gola dhe dha 8 asistime, duke arritur statistikat më të mira të karrierës.
