Handanovic: Këtë sukses e ëndërroja që fëmijë, ja cila ishte pritja e sezonit

Mbron portën e Interit që prej 2012-ës dhe mban shiritin e kapitenit prej rreth dy vitesh, por vetëm pasditen e sotme ngriti lart trofeun e parë të karrierës së tij. Bëhet fjalë për gardiani Samir Handanovic, i cili e priste prej kohësh një trofe me fanellën zikaltër dhe e arriti pikërisht tani në moshën 36-vjeçare.

Në një intervistë të dhënë menjëherë pas ndeshjes me Udinesen, ku luajti vetëm 45 minutat e para, Handanovic nuk e fshehu gëzimin për triumfin në kampionat, teksa evidentoi si pritjen më të bukur të sezonit, atë ndaj Chiesës në sfidën me Juventusin.

“E kemi pritur prej shumë kohësh këtë moment dhe është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Këtë trofe e ëndërroja që i vogël dhe e arrita vetëm sot, ndaj nuk e fsheh dot kënaqësinë e gëzimin. Pritja më e bukur e sezonit, është ajo ndaj Chiesës në sfidën e parë të sezonit me Juven”, u shpreh Handa.

Shtuar 23.05.2021 20:11