Haliti rrëfen këmbënguljen e presidentit të Bylisit për transferimin e tij

Në episodin e radhës të podcastit “Arena e Yjeve”, i ftuar ishte ish-futbollisti i njohur kosovar Ahmet Haliti. Ai foli për momentet e ndryshme të karrierës së tij, si edhe për angazhimin e ri në futboll, këtë herë si ndihmës trajner te Ballkani. Episodi u realizua me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.

Gjatë bisedës, Haliti tregoi se si presidenti i Bylisit kishte insistuar për ta afruar në ekip dhe zbuloi rrethanat që e bindën të transferohej te klubi shqiptar.

Të lidhura

None found

“Presidenti i Bylisit kish qenë i fiksum edhe me mu edhe këtu ka qenë, arsyeja pse kam kalu ka qenë bali Hash (menaxheri Hashim Vitija)”.

Sipas tij, presidenti e kishte parë duke luajtur dhe kishte shprehur dëshirën për ta marrë me çdo kusht. Në atë periudhë, Haliti ishte pjesë e Prishtinës, me të cilën kishte nisur bisedimet për vazhdimin e kontratës.

“Nuk e di, më ka parë duke luajtur diku dhe kishte thënë e du me çdo kusht, a po kupton? Është ndoshta unë në atë kohë isha te Prishtina, edhe bisedova me Prishtinën ata donin me vazhdu kontratën”.

Futbollisti shpjegoi se fillimisht kishte arritur një marrëveshje me Prishtinën, por disa detyrime të klubit ndaj tij mbetën pa u përmbushur. Ndërkohë, menaxheri Hashim Vitija vijonte t’i bënte presion që të pranonte ofertën e Bylisit.

“E arrita një marrëveshje në fakt me Prishtinën, tash mbetën me u kry disa obligime ndaj meje. Prit një javë, prit dy javë, a po kupton këndej më bojke presion edhe bali Hash për atje, por unë nuk doja me kalu, sepse pak kushtet veçse u rregulluan edhe këtu”.

Haliti tha se ndihej mirë në Prishtinë dhe se nuk e kishte shumë dëshirë largimin, por situata ndryshoi pas prishjes së marrëdhënieve me klubin.

“Ndihesha mirë edhe në Prishtinë edhe më afër këtu. Nuk desha me kalu shumë atje. Po ashtu u prishëm me Prishtinën dhe pastaj ndoshta me cek faktin që kur e kam arritë marrëveshjen me Bylisin, kam qenë me një dasmë edhe bali Hash më shkruante non stop, është duke më bo presion, shumë presion po don gjithqysh, a po kupton?”.

“Edhe tash na duke kërcy kemi qenë duke vallëzu, veç e kam shkru një mesazh okej rregullo edhe kështu ka ndodhë kalimi im”, ka rrëfyer mes të tjerash Haliti.

Episodi i plotë me Ahmet Halitin mund të ndiqet në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube.


Shtuar më 1.11.2026 12:14