Gjilani e ka filluar me fitore edicionin 2026/27 të Albi Mall Superligës së Kosovës, pasi mposhti në udhëtim Feronikelin 74’ me shifrat 3-1, në përballjen e javës së parë.
Të lidhura
None found
Në minutën e dytë, Feronikeli 74’ pati një mundësi të artë për të barazuar, me Indrit Prodanin që realizoi një gol spektakolar. Festa e skuadrës vendase, megjithatë, u ndërpre shpejt, pasi goli u anulua për prekje të topit me dorë nga sulmuesi Ivan Delic gjatë aksionit.
Rezultati u zhbllokua herët nga skuadra gjilanase. Granit Jashari shënoi në minutën e shtatë, duke kaluar mysafirët në epërsi 1-0 dhe duke përcaktuar ritmin e ndeshjes që në fazën fillestare.
Edhe pjesa e dytë nisi në mënyrë ideale për Gjilanin. Në minutën e 48-të, Hamdi Namani realizoi golin e dytë për epërsinë 2-0, duke e bërë edhe më të vështirë situatën për ekipin nikoqir.
Fitorja e mysafirëve u vulos në minutën e 84-të. Bleart Tolaj u tregua i saktë nga pika e penalltisë dhe e çoi rezultatin në 3-0.
Pesë minuta më vonë, në minutën e 89-të, Feronikeli 74’ shënoi golin e nderit, po ashtu nga penalltia. Shpresim Zogu ekzekutoi me sukses dhe fiksoi rezultatin përfundimtar në 3-1.
Ky sukses i siguroi Gjilanit tri pikët e para të sezonit të ri. Në anën tjetër, Feronikeli 74’ e shënoi rikthimin në Superligë me humbje, pas një viti të kaluar në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.
