Gjesti i Ronaldos në ndeshjen me Serbinë, Del Piero kritik: E teproi me hedhjen e shiritit (VIDEO)

Alessandro Del Piero kritikon sjelljen e Cristiano Ronaldos në përfundim të ndeshjes Serbi – Portugali 2-2. “Ylli” i luzitanëve, irrituar me gjyqtarët, që nuk i quajtën një gol të rregullt në minutat shtesë (pamjet treguan qartë se topi e kishte kaluar vijën fatale), pas vërshëllimës së trefishtë të kryesorit holandez, në momentin që po dilte nga fusha, hodhi në tokë shiritin e kapitenit. Pikërisht ky veprim, sipas Del Pieros, që bën rolin e opinionistit në ESPN, është i papërshtatshëm.

“Ky është një reagim i tepërt për dikë që është kapiten i ekipit dhe përfaqëson një figurë ikonike si ai. Hedhja e shiritit ishte e tepërt. Gjithashtu e kuptoj momentin, rëndësinë e ndeshjes dhe ambicien personale që ai vendos në gjithçka që ai bën.”

Në fakt, episodi i ndeshjes së zhvilluar në “Marakana” të Beogradit ka qenë temë kryesore e ditëve e fundit. Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, deklaroi pas ndeshjes së kryesori i kishte thënë se do t’i kërkonte falje nëse kur të shihte pamjet do ta kuptonte se kishte gabuar. Dhe, në fakt, ashtu ndodhi, Danny Makkelie, në një prononcim për portugezen “A Bola”, pranoi gabimin dhe rrëfeu si ka kërkuar ndjesë trajnerit Santos dhe ekipit portugez për atë që ndodhi. Ai shtoi gjithashtu se si trupë gjyqtarësh punojnë shumë për të marrë vendime të mira dhe të drejta dhe nuk gëzohen aspak kur u ndodhin episode të tilla”.


Shtuar 30.03.2021 12:42