E ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi duket se është përcaktuar, pasi trajneri Luciano Spalletti nuk e sheh futbollistin kosovar si një prej të preferuarve të tij. Me afatet kalimtare ende të hapura në Arabinë Saudite dhe Turqi, tashmë po kërkohet një zgjidhje e re për të.
Të lidhura
None found
Sipas gazetarit italian Mirko Di Natale, si drejtuesit e Juventusit, ashtu edhe Spalletti, e kanë marrë vendimin për Zhegrovën. Rasti i tij lidhet ngushtë edhe me situatën e Nico Gonzálezit.
“Luciano Spalletti nuk është veçanërisht i bindur nga Edon Zhegrova. Çështja e tij është e ndërlidhur me atë të Nico Gonzálezit dhe, praktikisht, vendimi është marrë tashmë”, ka thënë Di Natale.
Gazetari shtoi se klubi dhe trajneri kanë të njëjtin qëndrim për futbollistin kosovar.
“Vendimet janë marrë si nga ana e klubit, ashtu edhe nga ana e trajnerit. Juventusi ka zgjedhur ta mos e përfshijë Zhegrovën në listën për Ligën e Evropës, ndërsa ekziston mundësia që ai të mos jetë pjesë as e listës së skuadrës për Serie A”.
Di Natale bëri të ditur gjithashtu se Zhegrova e ka përjetuar me shumë vështirësi përjashtimin.
“Personat pranë Edonit më kanë treguar se lojtari kosovar është ndier shumë keq pas vendimit për të mbetur jashtë listave të ekipit”.
Juventusi pret që gjatë periudhave kalimtare ende të hapura, një klub nga Turqia ose Arabia Saudite të paraqesë ofertë për Zhegrovën.
Megjithatë, klubi italian do të pranojë vetëm një transferim të përhershëm. Sipas Di Natales, aktualisht vetëm këto dy kampionate mund të përmbushin kërkesat financiare të Juventusit për futbollistin kosovar.
Juventusi do të ishte i gatshëm të shqyrtonte oferta prej së paku 15 milionë eurosh për Zhegrovën, shumë e cila mund të rritet edhe përmes bonuseve.
